Kryesore Basha premton nga Prishtina heqjen e taksës në “Rrugën e Kombit”

Basha premton nga Prishtina heqjen e taksës në “Rrugën e Kombit”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka nisur sot vizitën dyditore në Kosovë, ndërsa fillimisht është pritur nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti.

Në një konferencë për mediat, Hoti tha se e ka informuar kreun e PD-së për zhvillimet e fundit në Kosovës sa i takon pandemisë së COVID-19, por edhe për rinisjen e dialogut, i cili po mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

“Ndamë me të, shqetësimet tona në menaxhimin me Covid edhe për çështjet për rimëkëmbjen ekonomike. E informova në detaje për aktivitete që po i bujnë ekspertët tanë shëndetësorë në menaxhimin e situatës, të cilën fatmirësisht ditët e fundit kemi filluar ta sjellin nën kontroll. E informova për proceset me rendësi nacionale siç është procesi i dialogut”, tha Hoti.

Kreu i PD-së përgëzoi Hotin për menaxhimin e situatës së pandemisë, ndërsa tha se Kosova në lidhjet me masat që ka marrë, është kthyer në një shembull për rajonin.

“Po ndjekim me shqetësim përparimin e pandemisë, por kështu jam i inkurajuar nga paketa e masave që keni njoftuar në aspektin shëndetësore, por edhe në aspektin social dhe ekonomik. Në këtë kuadër, gjykoj se me paketën ekonomike që ju keni njoftuar në raporte me prodhimin bruto dhe buxhetin e Kosovës, një paketë e tillë iu vë në krye të vendeve të rajonit dhe përbën një shembull edhe për Shqipërinë, ku situata është po kaq kritike, qoftë sa i përket pandemisë, por edhe më kritike sa i përket ekonomisë dhe pasojave social. Paketa juaj përbën një shembull për Tiranën, por edhe për ne, edhe pse për momentin jemi në opozitë”, tha Basha.

Lideri i opozitës shqiptare u ndal edhe tek procesi i dialogut, ndërsa shtoi se ky proces ka një përfundim që është: njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se sapo PD-ja të vijë në pushtet përmes zgjedhjeve, vendimi i parë që do të ndërmarrë është heqja e taksës dhe e traut në Rrugën e Kombit. Sipas tij, “ky akt po bllokon zhvillimin dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë, në të dyja anët e kufirit”.

“Dua t’ju falënderoj për rolin tuja, lidershipin tuaj në rinisjen e dialogut. Dua t’ju shpreh mbështetjen time, në këtë përqasje parimore, e cila ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim: njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Ne vazhdojmë të themi se potencialet janë të mëdha, por ju siguroj se PD-në do të keni një partner të devotshëm, që të vazhdojmë më tej për të prodhuar më shumë mirëqenie dhe vende pune për qytetarët tanë, dhe në këtë aspekt dua të rikonfiromoj se një ndër vendimet e mia të para, do të jetë heqja e taksës dhe traut në rrugën e Kombit. Një vendim i padrejtë që rëndon mbi ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomikë në dy vendet tona”, shtoi Basha.