Kryesore Tronditet Elbasani, ekzekutohet i skeduari për drogë

Tronditet Elbasani, ekzekutohet i skeduari për drogë

Një person ka mbetur i vrarë pasditen e sotme në Elbasan. Viktima është Emiljano Ramazani, 39 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi tek rrethrrotullimi i luleve, në lagjen 28 Nëntori. Viktima mësohet se ndodhej brenda automjetit të tij kur u qëllua për vdekje.

Autorët dyshohet se pas ekzekutimit të 39-vjeçarit, i cili rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve, janë larguar me automjet drejt Bradasheshit, ku dhe i kanë vënë flakën në një ullishte. Drejt Elbasanit janë nisur forcat RENEA dhe FNSH.

“Në Elbasan, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi E. R. 39 vjeç. Autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Paper, në një ullishte i kanë vënë zjarrin mjetit dhe janë larguar në kodrat përballë Paperit. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjeke të autorëve, po bëhet rrethimi i zonës nga dyshohet se mund të jenë larguar autorët, si dhe janë ngritur menjëherë pika kontrolli në akset rrugore Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Tiranë dhe Elbasan-Belsh.

“Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur FNSH dhe RENEA, si dhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Elbasanit në një njoftim paraprak për media.

Zbulohet e kaluara e viktimës në Elbasan

Viktima e atentatit sot në Elbasan është një emër i njohur për drejtësinë. Emiljano Ramazani i njohur me nofkën “Rramani” me banim në lagjen “Sul Paprri” ka qenë disa herë i arrestuar dhe dënuar.

Në 2012 ai është arrestuar së bashku me 5 persona të tjerë për drogë. Pesë vite më pas ai është kapur sërish së bashku me një tjetër person, pasi iu gjet kokainë në makinë. Asokohe iu gjetën 10 doza kokainë, 50.000 lekë dhe 14 aparate celularësh.