Sport A ka të drejtë Conte për kalendarin? Rezultatet i rrëzojnë alibinë

A ka të drejtë Conte për kalendarin? Rezultatet i rrëzojnë alibinë

“Kalendar i çmendur, duket sikur është bërë për të vënë në vështirësi Interin. Luajmë gjithmonë kundër kundërshtarëve që kanë pasur më shumë kohë për të pushuar”. Kështu shpërtheu Antonio Conte, pas barazimit 2-2 të Interit në “Olimpico” ndaj Romës, duke nxitur dyshimet. A ka të drejtë tekniku zikaltër? A është përpiluar kalendari për të ruajtur ekuilibrat? Nëse u hedh një sy dhënave, ato i japin të drejtë trajnerit puljez.

Interi, nga shtatë ndeshje të Serisë A që ka zhvilluar pas pauzës së kampionatit, vetëm në dy raste (përballë Bolonjës dhe Veronës) ka qenë i barabartë me rivalët sa i përket kohës në dispozicion për të pushuar, në pesë sfida të tjerë rivalët gjithmonë kanë pushuar një ditë më tepër (kundër Parmës, Breshias, Torinos, SPAL-it dhe Romës).

Nuk ka ndodhur kështu me skuadrat e tjera rivale, si Juventusi apo Lacio, që thuajse në çdo përplasje kanë patur të njëjtën kohë në dispozicion për të pushuar.

Por Conte, në fakt, “tradhtohet” nga një e dhënë mjaft interesante: Interi, në pesë rastet kur ka pushuar më pak se kundërshtarët, ka arritur të fitojë katër ndeshje dhe të barazojë vetëm një (me Parmën 2-1, Breshian 6-0, Torinon 3-1, SPAL-in 4-0 dhe 2-2 me Romën). Pikët që e kanë penalizuar në garën për titullin Interi i ka humbur me Bolonjën në “San Siro” (1-2), Veronan (2-2) dhe kundër Sasuolos (3-3). Asnjë nga këto ekipe që i kanë marrë pikë Interit nuk kanë pushuar më shumë se zikaltrit përpara përplasjes.