Pas katër ditësh bisedimesh të vështira dhe debatesh, 27 udhëheqësit e unionit, mëngjesin e kësaj të marte arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bien dakord për buxhetin e ardhshëm 7-vjecar të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe fondin kushtuar rimëkëmbjes ekonomike nga COVID-19.
Buxheti 7-vjeçar i BE-së, për të cilin u ra dakord kap shifrën 1.82 trilionë euro ndërsa edhe fondi i rimëkëmbjes mbeti i pandryshuar 750 miliardë euro, të cilat do të ndahen në formën e granteve dhe kredive €390 miliardë grante dhe në €360 miliardë hua.
Një marrëveshje e mirë që tregon se Evropa është e bashkuar, kështu e cilësoi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel fundin e bisedimeve të gjata.
“Është një marrëveshje e mirë e fortë është marrëveshja e duhur për Evropën në këtë moment, falënderoj të gjithë udhëheqësit, ne treguam përgjegjshmëri dhe solidaritet dhe treguam se ne besojmë në të ardhmen tonë të përbashkët dhe kjo marrëveshje dëshmon se Evropa është një forcë aksioni. Ne treguam se për herë të parë kriteri për sundimin e ligjit është thelbësor në shpërndarjen e buxhetit,” – u shpreh Michel.
Ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen nënvizoi lëshimet e bëra në kërkimin e një kompromisi, duke thënë se i vinte keq që do të kishte shkurtime në “politikat moderne” në kërkime dhe inovacion.
Një ditë historike për Evropën e cilësoi marrëveshjen Presidenti francez Emmanuel Macron.
Tani marrëveshja do të duhet të kalojë shqyrtimin e parlamentit Evropian, i cili së shpejti do të mblidhet në një seancë plenare të veçantë.
Bisedimet, të cilat nisën të premten nuk ishin aspak të lehta pasi vendet e ashtuquajtura kursimtare, si Holanda, Suedia, Austria e Danimarka kërkonin një fond më të reduktuar të rimëkëmbjes, më shumë kontroll mbi shpërndarjen e tij dhe të jepej në formën e kredive.
Një tjetër pikë diskutimi ishte shtimi i kriterit të sundimit të ligjit për të hyrë në paketën përfituese të fondeve. Masa e propozuar, e cila ndikon kryesisht në vendet e Evropës Lindore hasi në kundërshti nga vende si Polonia dhe Hungaria.
Një marrëveshje, një samit i cili për shkak të kohëzgjatjes 4 ditore shkruan edhe histori si takimi më i gjatë në historinë e unionit ku edhe gjatë kësaj kohe u përball me sfidën nëse ishte aq i bashkuar për të përballuar krizën e pandemisë.