Kontrolle për udhëtarët në Europë, kufizime për studentët e huaj në SHBA, mbajtja e detyrueshme e maskave, masat shëndetësore kundër epidemisë kanë rifilluar të fuqizohen ndërkohë që OBSH shpreh shqetësim për Europën dhe shtimin e rasteve në kontinentin amerikan.
Në Europë, epidemia ka shkaktuar vdekjen e 207 118 personave për më shumë se tre milionë raste.
“Shtimi i fundit i rasteve me COVID-19 në disa vende pas lehtësimit të masave kufizuese është sigurisht një fakt shqetësues”, deklaroi një zëdhënës i degës europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Organizata u kërkoi vendeve europiane të qëndrojnë të kujdesshme dhe të lehtësojnë masat me kujdes duke parë dhe një rikthim të tyre nëse do të jetë e nevojshme.
Disa vende të rajonit kanë riforcuar kontrollet e udhëtarëve.
Gjermania propozoi teste falas për udhëtarët e rikthyer në vend.
Dhe Franca, ku qarkullimi viral është në rritje, sipas autoriteteve shëndetësore, bëri të detyrueshme testet për udhëtarët që mbërrijnë nga 16 vende, përfshirë SHBA-në dhe Algjerinë.
Kryeministri francez, Jean Castex rekomandoi francezët të shmangin vajtjet në Katalonjë, në verilindje të Spanjës, ku qeveria urdhëroi dje mbylljen e diskotekave dhe bareve të natës përballë rritjes së infektimeve.
Norvegjia gjithashtu, ka vendosur kufizime për udhëtarët me Spanjën, ku epidemia është rishfaqur në rritje.
Belgjika shënoi gjithashtu një rekord të trishtë, një vajzë tre vjeçare humbi jetën si pasojë e COVID-19 disa ditë më parë, njoftuan autoritetet shëndetësore, duke u bërë viktima e parë me moshën më të re në këtë vend që ka regjistruar një rritje të numrit të kontaminimeve, me 64 847 raste.
Edhe në Belgjikë, takimet me më shumë se 10 persona janë ndaluar duke nisur nga sot.
Në Angli, detyrimi i mbajtjes së detyrueshme të maskës në dyqane dhe supermarkete hyri në fuqi, ndërkohë që pishinat dhe sallat sportive janë rekomanduar të rihapen sot.
Në SHBA, vendi më i prekur me 145 000 të vdekur nga COVID-19, më shumë se 70 000 raste si dhe 1 150 të vdekur u regjistruan në 24 orë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Numri total i të infektuarve në tokën amerikane që prej fillimit të pandemisë ka arritur në 4,1 milionë.
Qeveria e Donald Trump, në kuadër të pandemisë ka pezulluar lëshimin e vizave për studentët e huaj.
Në Amerikën Latine dhe Karaibe, pragu prej katër milionë raste është kaluar gjithashtu. Vetëm Brazili numëron më shumë se 2,2 milionë raste.
Sao Paulo ka vendosur të shtyjë karnavalet dhe Rio de Zhaneiro po mendon një mundësi të tillë.
Disa vende kanë zgjedhur të rivendosin masa kufizuese të pjesshme. Rreth 10 milionë banorë të Tokios janë ftuar të qëndrojnë në shtëpi që prej të enjtes, disa e parë e një fundjave të gjatë në kufizim.
Sipas Kryqit të Kuq, bilanci ekonomik shkatërrues i pandemisë rrezikon të shkaktojë valë të tjera të migracionit pas hapjes së kufijve.