Kryesore Dy viktima dhe 108 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Dy viktima dhe 108 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Ministria e Shëndetësisë raportoi të mërkurën 2 viktima dhe 108 raste të tjera me COVID-19 duke e rënduar më tej bilancin e pandemisë në vendin tonë me 5,105 raste dhe 150 humbje jete.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në spitalin Covid1, një 68-vjeçare nga Shijaku me disa sëmundje bashkëshoqëruese ka ndërruar jetë, si dhe në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi, një 60-vjeçare nga Tirana, pa sëmundje të tjera.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 125 pacientë, 17 janë në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit, janë kryer 502 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 108 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 52 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Kukës, 6 në Fier, 5 në Mirditë, 4 në Tropojë, nga 3 raste në Vlorë, Kamëz, Përmet, nga 2 raste në Elbasan, Tepelenë, Memaliaj, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Lezhë, Has, Berat, Pogradec, Prrenjas.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2830, që nga fillimi i epidemisë.