Ministria e Shëndetësisë konfirmoi sot se janë konfirmuar 108 raste të reja me Covid-19, ndërsa 2 qytetarë kanë humbur jetën. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha në Euronews Albania se strukturat shëndetësore po përgatiten për një valë tjetër, pasi në stinën e vjeshtës rikthehet edhe gripi stinor.
Sipas tij, strukturat duhet të fillojnë përgatitjet dhe punën për të mbajtur situatën nën kontroll.
“Po përgatitemi për një valë tjetër, do të thotë se është prania e virusit të gripit, sepse këtë valë e kemi. Jo vetëm nuk ka ikur, por po shkon në rritje. Dihet që në vjeshtë vijon gjithmonë periudha e gripit, por duke gjetur dhe koronavirusin, normalisht kemi dy armiq që duhet të mbrohemi nga të dy”, theksoi ai.
Ai ftoi qytetarët të respektojnë masat e rekomanduara kundër pandemisë.
“Duhet të ngulim këmbë me zbatim të masave. Të zbatojmë këto që janë marrë në këto momente, por nuk po zbatohen rregullisht. Jemi në një momentin që shifrat janë rritur. Jemi në momentin që nuk duam që sistemi shëndetësor të shkojë në kolaps”, shtoi ai.
Doktor Brataj theksoi se, këtë vit duhet që përgatitjet për gripin stinor të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, ndërkohë shtoi se personeli dhe qytetarët që konsiderohen si më të rrezikuar duhet me patjetër të kryejnë vaksinimin.
“Duke parë që ky virus është shumë dinamik, duhet të shkojmë drejt të panjohurës me masa efikase. Me gripin duhet filluar më përpara se sa vitet e tjera. Kjo i përket grupit që merret me gripin. Vaksina e gripit ka qenë falas. Në këto kushte duhet të ishte efikase. Kush është personeli në risk? Janë bluzat e bardha, forcat e rendit, moshat e thyera, persona me sëmundje bashkëshoqëruese. Duhet ta bëjnë të parët këtë. Këto janë fashat e para që duhet dhe do të plotësohen”, shtoi ai.
Kreu i Urgjencës Kombëtare theksoi se, ky trend i rritjes së rasteve me COVID-19 do të vijojë të paktën edhe për 3 javë të tjera. Ai shtoi se agresiviteti i virusit mund të ulet vetëm kur qytetarët do të rrisin vigjilencën dhe të respektojnë me rigorozitet masat anti-covid.
“Numri i të infektuarve do të ulet nëse i respektojnë rregullat. Sikur njerëzit ta vënë në provë njëherë vetëm për këto 2-3 javë dhe t’i respektojnë rregullat, do të ketë një rënie drastike të pozitivitetit të infeksionit. Ajo që është bërë me hapjen e masave qershor-korrik, shpërndarja e virusit do t’i japë pasojat akoma. Do të jetë akoma për 2-3 javë në rritje. Duhet të mbrohen fashat në risk, por mos të harrojmë që shoqëria nuk është e ndarë në struktura që jetojnë veç. Zbatimi dhe përdormi i maskave në ambientet e mbyllura. Janë elementare, por janë aq domethënës. E kemi vetë në dorë”, përfundoi ai.