Aneta Rama, nëna e Kryeministrit Edi Rama është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Lajmin e ka dhënë vetë kreu i qeverisë në një postim në rrjetet sociale, mëngjesin e kësaj të shtune.
“Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam🙏“, shkruan Kryeministri në postimin e tij.
Aneta Rama ishte një ndër mjeket e para stomatologe në Shqipëri. Në 2018-n, ajo u vlerësua me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”, për kontributin e veçantë të saj në themelimin e stomatologjisë shqiptare.
Në atë kohë, teksa tërhoqi këtë çmim Kryeministri Edi Rama pohoi se zonja Rama e kishte të pamundur të ishte e pranishme, sepse prej disa kohësh ishte në një përpjekje jo të lehtë me një sëmundje shumë të vështirë.