Një ndalim dhe më pas lirimi i një veterani të UÇK-së nga autoritetet shqiptare në doganën e Morinit, ka trazuar Tiranën e Prishtinën këtë të diel.
Ka qenë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka publikuar lajmin, duke shkruar se “Murtez Kastrati nga Lipjani, sot është ndaluar nga Policia e Shqipërisë, pasi që Serbia e ka dërguar emrin e tij dhe shume ish-pjesëtarëve të UÇK-së në INTERPOL”.
“Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati nga Lipjani sot është ndaluar nga policia e Shqipërisë pasi që shteti Serb ka dërguar emrin e tij dhe shume ish pjestarëve të UÇK-së në Interpol, nga burimet që kemi marrë Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish pjestarëve të UÇK-së, ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera, Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta liroje Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla!”, shkroi Gucati.
E ndërsa nga Policia Shqiptare u deklarua thatë se kjo nuk është e vërtetë, ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stbulla, tha se Kastrati u lirua pas një bisede të saj me homologun Cakaj në Tiranë.
“Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh. Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.
Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë. Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash“, u tha në reagim.