Agjencia e Administrimit të Aseteve ka caktuar Arjan Bacin si administratorin shtetëror të pasurive të sekuestruara nga sipërmarrësi Ylli Ndroqi.
Në total, Baci bashkë me ekipin e oficerëve të policisë gjyqësore do të marrin në administrin 15 pasuri të paluajtshme dhe 11 kompani biznesi.
Prej kompanive 6 janë me aktivitet të pezulluar, ndërsa 5 të tjerat vijojnë punën. Mes bizneseve është dhe televizioni Ora News.
Në 3 gusht, Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion lajmëroi se ka nisur hetimet kundër Ylli Ndroqit pasi ka dyshime se Ndroqi ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale në Turqi, Itali e Shqipëri, dhe se pasuria e tij në Shqipëri është vënë me të ardhura të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Për këtë arsye SPAK ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të tij, për të bërë të pamundur ndryshimin e pronësisë së tyre gjatë hetimeve.