Sport Merr fund epoka e Pallottës, Roma blihet nga miliarderi amerikan

Merr fund epoka e Pallottës, Roma blihet nga miliarderi amerikan

Pas muajsh të tërë negociatash, më në fund është arritur marrëveshja dhe Roma do të ketë një pronar të ri që prej ditës së sotme, i cili do të jetë miliarderi 55-vjeçar amerikan, Dan Friedkin, lëvizje kjo që ka rritur vlerën e aksioneve të klubit verdhekuq me +4 pikë në bursë.

Lajmi është dhënë nga vetë klubi i Romës nëpërmjet një komunikate të shpërndarë në faqen zyrtare, ndërsa ndryshimi i pronësisë vjen në ditën që verdhekuqtë do të përballen me Sevillan në sfidën e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Europa Leagues.

Dan Friedkin është pronari i “Friedkin Group” dhe “Gulf States Toyota Distributors”, dhe pasuria e tij llogaritet të jetë më e madhe se 4 miliardë dollarë, ndërsa për të blerë aksionet e klubit verdhekuq, ka paguar një shifër prej 591 milionë eurosh.

Merr fund kështu pas 9 vitesh, epoka e amerikanit tjetër James Pallotta, i cili ka pasur pronësinë e klubit verdhekuq që prej 2011-ës, por që nuk ka arritur të fitojë asgjë me skuadrën dhe është përballur shpesh me zemërimin e tifozëve.