Partia Demokratike vuri në diskutim cilësinë e analizave për të dyshuarit me COVID-19. Përmes një postimi në Facebook, të enjten, ish-deputeti Bardh Spahia tregoi rastin ku një person i dyshuar me COVID-19 kishte kryer dy tamponë (2 teste PCR) rreth një muaj më parë dhe kishte rezultuar negativ (jo i infektuar). Mirëpo sipas Spahisë, në testin serologjik, i cili përmes pranisë së antitrupave mund të tregojë nëse dikush e ka kaluar virusin, ai ka rezultuar pozitiv.
Bardhi vuri në diskutim origjinën nga ku janë importuar tamponët dhe kitet e analizave të përdorura nga Instituti i Shëndetit Publik. Njësoj si pak ditë më parë ku denoncoi rezultatet e testeve serologjike, ish-deputeti i PD-së ngriti shqetësimin e të ashtuquajturve “rezultate false” në analiza.
“Personi ka pasur Covid, ndërsa 2 tamponët e bërë nga ISHP rezultonin negativë! Është problemi i njohur i tamponëve, që japin rezultat fals. Ky është një problem shqetësues, të cilin qeveria duhet ta sqarojë. Zonja ministre (e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu), nga janë marrë tamponët dhe kitet për testet serologjike dhe sa është niveli i rezultateve false që prodhojnë?”, akuzoi autoritetet Spahia.
Denoncimit të ish-deputetit të PD-së iu përgjigj pak më vonë ISHP, e cila i hodhi poshtë të gjitha pretendimet.
ISHP tha se “kitet dhe reagjentët e përdorura janë të standardeve ndërkombëtare” prej kompanive me të cilat “punojnë të gjitha vendet e BE-së”, por nuk qartësoi se kush ishin këto kompani.
Në reagimin e saj ISHP siguroi se “laboratorët e kryerjes së analizave me tamponë janë të standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë”.
“Cilësia e punës së specialistëve të ISHP dhe testeve të përdorura në rastin e COVID-19, janë të certifikuara!” – u tha në deklaratën për shtyp ku konsiderohej absurd krahasimi i bërë prej Spahisë mes analizave të kryera prej testit me tamponë me ato të testit serologjik.
“ISHP e konsideron krahasimin absurd mes analizës PCR dhe testeve serologjike, një përpjekje dashakeqe për të bërë politikë me pandeminë. Padituria në dallimin mes testit PCR, dhe analizave serologjike – të cilat nuk bëjnë diagnostikim dhe saktësia e të cilave ende po vlerësohet kudo në botë – nuk duhet të shërbejë për të çoroditur qytetarët,” – vazhdoi më tej në deklaratë ISHP-ja duke u kërkuar qytetarëve që për t’u informuar t’u referohen vetëm burimeve zyrtare.
Prej nisjes së pandemisë, opozita ka vënë në diskutim politikat shëndetësore të ndërmarra nga qeveria duke kritikuar vonesën e marrjes së masave, mungesën e materialeve mbrojtëse për një pjesë të personelit shëndetësor, numrin e ulët të testeve dhe propagandën.