Një person është arrestuar ndërsa tre bashkëpunëtorët e tij janë shpallur në kërkim pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në Pogradec ku u qëllua me breshëri automatiku drejt një hoteli në pronësi të Jetmir Muçllarit dhe makinave të parkuara.
Në pranga është vënë 34-vjeçari M.T., nga fshati Buçimas, i dënuar më parë për shkatërrim prone me zjarr. Në kërkim u shpallën I. B., 52 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 34 vjeç, banues në Pogradec dhe B. S., 28 vjeç, banues në Pogradec.
Nga hetimet rezulton se sulmi ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij.
Fillimisht më 1 Gusht, ata kanë kanosur djalin e Jetmir Muçllarit, 20-vjeçarin me iniciale J.M., ndërsa dje qëlluan me breshëri në drejtim të hotelit ku shkaktuan dëme materiale tek godina dhe 7 makinat e turistëve të parkuara pranë tij.
Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar 1 mjet motor tip “Suzuki” pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.
Ngjarja e 8 Gushtit ndodhi rreth orës 5:00 të mëngjesit. Në hotel ndodheshin edhe shumë turistë. Të terrorizuar nga ngjarja, pushuesit thanë se breshëritë e kallashnikovit zgjatën për disa minuta duke u vënë në rrezik jetën. Pasi janë marrë në pyetje nga policia, ata kanë nisur të largohen nga Pogradeci.
Hoteli është në pronësi të Emanuela dhe Jetmir Muçllarit. Këtij të fundit në vitin 2013-të i është bërë atentat me armë.