Kryesore Gjashtë viktima dhe 136 raste të reja me Covid-19

Gjashtë viktima dhe 136 raste të reja me Covid-19

Numri i raste të reja me Covid-19 në Shqipëri vijon të jetë i lartë. Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se janë kryer 561 testime të dyshuara, nga të cilat 136 kanë rezultuar pozitivë, ndërsa 6 qytetarë kanë humbur jetën, mes tyre dhe artisti Arben Bajo.

Dr. Marjeta Dervishi tha se 112 persona janë të shtruar në spital, 18 në terapi intensive, 3 të intubuar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 66 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 8 në Patos, 7 në Vlorë, 6 në Kavajë, nga 4 raste Kuçovë, Fier, nga 2 raste Berat, Librazhd, Kamëz, Gjirokastër, Sarandë, nga 1 rast Durrës, Mirditë, Mat, Roskovec, Malësi e Madhe, Peqin, Gramsh.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 74 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3342, që nga fillimi i epidemisë. Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë mbi 1 mijë persona aktivë me Covid19, që janë në banesë. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 112 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar. Në të dy spitalet Covid, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.

Fatkeqësisht, edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, ka ndërruar jetë artisti 53 vjeçar nga Tirana. Gjithashtu dy spitalet Covid, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, një 61 vjeçar nga Tirana, një 62 vjeçar nga Durrësi, një 76 vjeçar nga Tirana, një 77 vjeçar nga Pogradeci, një 87 vjeçare nga Shkodra. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve”, tha Dr. Marjeta Dervishi.

Apeli

“Nisur nga fakti se janë vënë re raste të shtuara që lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore, rikujtojmë qytetarët se ndalohen të gjitha grumbullimet pasi janë burim i përhapjes së infeksionit, duke vënë në rrezik shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik”.