Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 18 qershor shkarkojë nga detyra ish-Gjyqtaren e Apelit Fatmira Hajdari, të venë e Azem Hajdarit, e cila është edhe e ëma e deputetes Rudina Hajdari.
Hajdari u shkarkua nga KPK për shkak se iu gjetën parregullsi në lidhje me pasurinë, ndërkohë që ka dalë edhe vendimi i plotë për ish-gjyqtaren, që e kompromenton edhe më shumë, pasi janë rreth 1 miliardë lekë pasuri të paligjshme që ajo ka tentuar t’i fshehë.
Sipas vendimit të KPK, Hajdari nuk e ka deklaruar plotësisht pasurinë, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e pasurive si dhe ka bërë përpjekje për të fshehur një pjesë të pasurisë.
Gjithashtu, deri në vitin 2003, kur ka nisur për herë të parë të deklarojë pasurinë, ka mungesë të ardhurash të ligjshme për blerjen e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve në vlerën 18 milionë lekë. Ndërsa për periudhën 2003-2016, nuk justifikon shpenzimet me vlerë 80 milionë lekë. Sipas KPK, në total, Fatmira Hajdari nuk justifikon rreth 1 miliardë lekë të vjetra ose 948 mijë USD.
Ndërkohë KPK konstatoi se Hajdari nuk ka deklaruar një truall në vitin 2015 dhe fillimin e punimeve të investimit në një godinë 5 katëshe.
Sipas KPK, rezulton se ka mospërputhje të deklarimit të një apartamenti në deklarimet e vitit 2003 dhe në deklaratën vettingut. Ndërkohë pasuria në total e Fatmira Hajdarit përfshin tre njësi, 12 apartamente te Vilat Gjermane, 207,400 euro dhe dy makina Mercedez Benz 53 mijë euro dhe 19.800 euro, të cilat nuk janë të deklaruara.
Gjithashtu komisioni ka konstatuar se Hajdarit i është refuzuar viza për në SHBA, gjë të cilën ajo nuk e ka pranuar.
Hajdari u përlot në seancën e kaluar të KPK ku tha se jeton ende në shtëpinë që i la Azemi.
Ndër të tjera, gjyqtarja u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha e ka ndihmuar me një kredi 25 milionë lekë të vjetra, pasi pa shtëpinë e amortizuar.
Megjithatë sipas KPK, gjyqtarja nuk e justifikon dot pasurinë dhe për këtë arsye nuk e ka kaluar vetingun.