Greqia ka njoftuar “shtetrrethimin e natës” për restorante dhe bare në disa nga destinacionet më të mira turistike, pas rritjes së rasteve me Covid.
Një zëdhënëse e qeverisë, Aristotelia Peloni, njoftoi të hënën kufizimet e reja: “Zonat në të cilat restorantet dhe baret do të mbyllen nga mesnata deri në orën 7:00 përfshijnë ishujt e njohur të Mikonos, Santorini, Korfuz, Rodos dhe Kretës”.
Kufizimi hyn në fuqi nga sot më 11 gusht deri më 23 gusht.
Për më tepër, të gjithë pasagjerët në fluturime nga Belgjika, Republika Çeke, Holanda, Spanja dhe Suedia që vijnë nga 17 gushti duhet të japin një rezultat negativ të testit të COVID-19.
Dëshmi e testeve negative do të kërkohet gjithashtu për secilin që hyn në vend në rrugë tokësore, përfshirë qytetarët grekë dhe të huajt rezidentë atje.
Qeveria tha se kërkesa do të hyjë në fuqi nga 17 gushti. Testi i kërkuar nuk mund të jetë më i vjetër se 72 orë para hyrjes.
Të dielën Greqia raportoi numrin më të lartë të infeksioneve me koronavirus, 203 raste, që nga fillimi i shpërthimit.