Presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim me ekipin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Italia për të trajnuar strukturat tona shëndetësore në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Kreu i Shtetit, pasi u njoh me asistencën konkrete të ofruar prej tyre për stafet mjekësore të spitaleve COVID 1, COVID 2 dhe spitalin e Shkodrës, theksoi se shkëmbimi i eksperiencave dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh kundër pandemisë është mëse i domosdoshëm, me qëllim rikthimin sa më parë në normalitet.
Sipas njoftimit të Presidencës, Meta e falënderoi me mirënjohje ekipin e mjekëve dhe infermierëve italianë për ndihmën tepër të vlefshme dhe bujare të ofruar në këto momente të vështira, dhe u shpreh se “shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë sakrificat dhe këtë solidaritet vëllazëror, që e forcon edhe më shumë marrëdhënien e shkëlqyer midis dy vendeve e popujve tanë.”