Ish-kapiteni i Barcelonës, Xavi Hernández, trajneri aktual i Al Sadd, është një nga emrat që të gjithë e kanë në mendje, kur bëhet fjalë për të ardhmen e stolit të Barçës. Sidoqoftë, në një intervistë me “El País”, i pyetur nëse është koha të kthehet, ai tha: “Unë nuk mendoj se është momenti tani, jo. Në janar u thashë se nuk ishte koha, ndërsa tani nuk më kanë kontaktuar. Si katalanas i uroj Barcelonës më të mirën. Unë e respektoj shumë Quique Setién. Si trajner ka një manual lojërash shumë të ngjashëm me atë që i duhet Barçës, që është “Cruyffismo”. Pastaj, tjetër gjë janë rezultatet”.
Megjithatë, Xavi e ka ëndërr rikthimin në “Camp Nou”: “Jam i lumtur që vazhdoj të fitoj përvojë, duke sfiduar veten. Natyrisht, do të ishte privilegj për mua të stërvitja Barçën një ditë, duke pasur bashkëpunëtorë Jordi Cruyff, Carles Puyol dhe disa lojtarë aktualë. Do të dëshiroja të krijoja një ekip me njerëz të vlefshëm, që e njohin shtëpinë, njerëz të cilëve iu besoj dhe që më përkasin mua”.
Një tjetër nga emrat e duhur, për të cilin flet Xavi në intervistën e tij për “El Pais”, është ai i Leo Messit, të cilin e njeh mirë, pas shumë vitesh si shokë skuadre. I pyetur për negociatat e rinovimit të kontratës së yllit argjentinas, Xavi siguroi se “ai e ka të sigurt atë; si një klauzolë automatike. Messit i duhet Barça, edhe Barça ka nevojë për Messin. Klubi duhet ta bëjë atë të lumtur, sepse me Leo Messin të lumtur do të fitojnë më shumë tituj.
Unë ruaj një miqësi të madhe me të, e respektoj shumë. Leo është një bishë konkurruese, gjithmonë dëshiron të fitojë. Për dhjetë vite ka qenë futbollisti më i mirë në botë. Shpresojmë se mund të takohemi përsëri në një nivel profesional. Të kesh lojtarin më të mirë në histori në skuadrën tënde është të kesh një as për të fituar”.