Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë dhe ministrisë së Jashtme dhe që të kontaktojë urgjent me palën greke, për kaosin e krijuar në Kakavijë. Kreu i shtetit thekson se duhet të merren masa për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit.
“Thellësisht i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë të cilët vijojnë të jenë të bllokuar prej shumë orësh në pikën kufitare të Kakavijës, duke u ekspozuar seriozisht para rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19. I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit. Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme!”, shprehet Presidenti Ilir Meta.
Ky reagim i presidentit vjen, pasi situata në pikën kufitare të Kakavijës është bërë shumë alarmante. Vargu i makinave ka arritur deri në Jorgucat, në një distancë rreth 20 kilometra që nga pika kufitare.