Massimo Moratti mbetet presidenti i fundit italian që ka fituar Ligën e Kampionëve. Në një intervistë të fundit për mediet italiane, ish-padroni i Interit vlerësoi paraqitjen e Atalantës në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, “thumboi” Juven si dhe rindezi shpresën e tifozëve zikaltër për të parë Messin në “San Siro”.
Sikur të mos ishte Mbappe dhe Neymar, Atalanta …
Shikoni, Mbappe më kujton Garrinchan, partnerin e Pelesë. Kur niset me topin ndër këmbë, mund ta ndalësh vetëm duke e qëlluar, sigurisht nëse ke shenjë të mirë. Pastaj, Neymar luajti në të gjithë fushën, si kurrë më parë. Të eliminohesh përballë emrave të tillë, nuk është çnderim.
Ndërsa Juve …?
Epo është një gjë të eliminohesh nga PSG, një gjë tjetër nga skuadra e shtatë e kampionatit francez. Sinqerisht, nuk ka të krahasuar.
Dhe Sarri pagoi për të gjitha …
Një mik më tha: nëse je ateist nuk mund të shkosh të predikosh në Vatikan. Por nuk mund të gjykosh nga jashtë, duhet të dish dinamikën e ngjarjeve në dhomën e zhveshjes. Sidoqoftë, Sarri fitoi kampionatin.
Tani “Zonja e Vjetër” ka vënë bast me Pirlon …
Jam intriguar shumë nga kjo zgjedhje. Andrea Agnelli u tregua kurajoz.
Po e krahasojnë me emërimin e Zidane te Reali dhe të Guardiolës te Barcelona…
Pirlo i meriton krahasimet për historinë e tij si kampion, por është gjithashtu e vërtetë që francezi (Zidane) në Madrid kishte bërë më parë ndihmësin e Ancelottit dhe kishte drejtuar skuadrën e dytë, si Pep te Barça. Pirlo nuk ka përvojë në pankinë. Për këtë do të jetë interesante të shohim rezultatin e bastit.
Çfarë do të thotë për ju fakti që Interi është skuadra e vetme italiane e mbetur në garë në Europë?
Më lejoni pak të korrigjohem. Kam gabuar në gjykimin tim në lidhje me Lukakun. Sinqerisht, mendoja se ai ishte i fortë vetëm fizikisht dhe kisha frikë se do të pendohesha për largimin e Icardit. Në vend të kësaj kuptova që Romelu është një kampion, gjithmonë ndihmon shokët e tij të skuadrës. Ai ka një vizion të lojës. Conte kishte të drejtë që e kërkonte me ngulm. Trajneri e përmirësoi shumë, duke e ndërtuar ekipin rreth tij. Sa i përket Europa League-s, nuk do të jetë e lehtë, kanë mbetur katër formacione shumë konkurruese. Unë shpresoj t’ia dalim. Në fund të fundit, miku im Steven Zhang është kinez …
Duke folur për Zhang, sa besoni në historinë e Messit të veshur ziklatër?
Shikoni, tani jam një tifoz i thjeshtë i Interit dhe nuk kam asnjë informacion konfidencial. Por e di një gjë: sa u përket burimeve dhe aftësive, Suning ka gjithçka për të sjellë Leon në Milano.
Pra, e besoni?
Si shkruhet kurrë mos thuaj kurrë në kinezçe?