Bota Zbulimi në Izrael, studentët gjejnë 425 monedha floriri islame 1100-vjeçare

Zbulimi në Izrael, studentët gjejnë 425 monedha floriri islame 1100-vjeçare

Disa të rinj izraelitë kanë zbuluar qindra monedha ari, të fshehura në një enë prej balte, nëntokë, për më shumë se një mijë vjet.

Të rinjtë po gërmonin në mënyrë vullnetare në qendër të Izraelit, atje ku pritet të nisin punimet për të ngritur një lagje të re.

“Ajo çka e bën unik këtë zbulim është fakti se na tregon më shumë për tregtinë ndërkombëtare mijëra vite më parë, në këtë zonë e cila në atë periudhë ishte në ngritje, kur krejt e kundërta ndodhte në Europë, ku përdorimi i arit po pakësohej gjithnjë e më shumë”, thotë arkeologu Galit Tal, i Autoritetit të Antikitetit.

Institucioni tha se thesari është groposur aty 1100 vite më parë dhe është siguruar që pavarësisht asaj që do të ndodhte, do të ishte e vështirë që dikush tjetër t’i gjente dhe t’i nxirrte prej aty.

“Po gërmonim përgjatë rreshtit të parë, kur gërmova më thellë me kalimin e ditëve pashë diçka. Doja ta dija çfarë ishte dhe kuptova që mund të bëhej fjalë për monedha. Fillimisht gjeta vetëm tre, por kur gërmova më thellë, gjeta pjesën tjetër”, tregon studenti Oz Cohen, një nga zbuluesit e thesarit.

Bëhet fjalë për 425 monedha floriri, të gjitha 24 karatëshe. Eksperti i monedhave në Autoritetin e Antikiteteve, Robert Kool tha se analiza fillestare tregon se monedhat datojnë që nga fundi i shekullit të nëntë dhe konsiderohen se vijnë nga epoka e artë e Kalifatit Abasid, i cili kontrollonte pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Në atë kohë, me këtë shumë, mund të siguroje një shtëpi luksoze për kohën në kryeqytetin e Egjiptit.