Aktualitet Shkaktoi aksident me vdekje në Britani, dënohet me 7 vjet burg 20-vjeçari...

Shkaktoi aksident me vdekje në Britani, dënohet me 7 vjet burg 20-vjeçari shqiptar

Mediat britanike shkruajnë se një 20-vjeçar shqiptar, i cili trafikonte dhe lëndë narkotike u dënua me 7 vjet burg për aksidentin që shkaktoi gjatë një ndjekje të shpejtësisë së lartë ku humbi jetën një shofer autobusi dhe u plagosën dhe 14 pasagjerë të tjerë.

60-vjeçari Kenneth Matcham doli nga dritarja e autobusit që drejtonte për shkak të përplasjes së fortë që pati me makinën që drejtohej nga shqiptari Dorjan Cera, në një aksident që ndodhi tetorin e vitit të kaluar.

Impakti ishte aq i fortë sa autobusi doli nga korsia dhe u përplas me një mjet tjetër duke lënë 14 persona të lënduar.

20-vjeçari Cera, i cili rezultonte i pasiguruar dhe pa patentë, ishte duke ngarë një Skoda Octavia që e kishte marrë me qira me dokumente false. Ai ishte në liri me kusht në kohën kur ndodhi aksidenti, pasi ishte dënuar me dy vjet burgim në shtator 2018 për posedim me qëllim shpërndarje të drogave të klasit A.