Shtetet europiane janë në garë me kohën për të shmangur një valë të dytë infeksioni të Covid-19. Qeveritë po vendosin kufizime strikte si pjesë e planeve kundër përhapjes së pandemisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi se situata do të përkeqësohet tej mase në muajt e ardhshëm me ardhjen e dimrit.
“Disa gjëra do të jenë më të vështira në muajt e ardhshëm se sa ishin në verë. Ne kemi shijuar liritë dhe mbrojtjen relative nga aerosolët në verë, gjë e cila ishte e mundur përmes jetës në të hapur”, tha kancelarja gjermane.
Merkel po i referohej mikro-plastikave të virusit, të cilat mendohet se përhapen përmes ajrit, veçanërisht në ambientet e brendshme me ajrim jo të mirë. Kjo vjen pasi qeveria federale e Berlinit vendosi kufizime për organizimet publike dhe caktoi një gjobë prej 50 eurosh për qytetarët që nuk respektojnë vendosjen e maskës mbrojtëse ku është e detyrueshme.
Ndërkaq edhe Franca nisi me zbatimin e masave të reja kufizuese. Në Paris hyri në fuqi udhëzimi për mbajtjen e maskës mbrojtëse, masë e cila u respektua nga kryeqytetasit. Franca raportoi së fundmi numrin më të lartë të rasteve të reja me koronavirus që prej heqjes së izolimit.
Shqetësim në rritje edhe në Itali. Çdo rajon i këtij shteti raportoi raste me Covid-19 në ditën e fundit, ndërsa shëndetësia bëri me dije se mosha mesatare e të infektuarve është 29 vjeç. Qeveria italiane u bëri thirrje banorëve që të respektojnë masat në fuqi dhe udhëzimet higjieno-sanitare për të shmangur ashpërsimin e masave.