Hungaria do të rimbyllë kufijtë e saj për vizitorët e huaj nga 1 shtatori, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të COVID-19 jashtë vendit. Qeveria hungareze tha se kjo masë do të zbatohet për të paktën një muaj.
“Shumica e infeksioneve të regjistruara në Hungari po vijnë nga jashtë. Ekziston një mundësi e rikthimit të virusit dhe pjesa më e madhe e infektimeve po vijnë nga qytetarë të huaj. Hungaria bën pjesë në listën e gjelbër, ndërsa të gjithë vendet e tjera po futen në listën e kuqe”, tha zëdhënësi i qeverisë, Gergely Gulyas. gjatë një konference për shtyp duke shtuar se qytetarët hungarezë që do të kthehen nga jashtë do t’i nënshtrohen një karantine 14-ditore ose duhet të paraqisni një test negativ të COVID-19, të cilin duhet ta paguajnë me shpenzimet e tyre.
Sipas autoriteteve, në vend do të lejohen të hyjnë vetëm shtetasit hungarezë ose shtetasit e vendeve të tjera, që kanë një arsye të vlefshme për të hyrë. Banorët duhet të mbajnë maska në të gjitha vendet e mbyllura publike, përveç restoranteve dhe të zbatojnë rregullat e distancimit shoqëror.
Hungaria ka regjistruar 132 infeksione të reja në 24 orët e fundit, në një popullsi prej afërsisht 10 milionë banorë. Që nga fillimi i pandemisë Hungaria ka regjistruar rreth 5,500 raste dhe 600 viktima.