Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe një herë se nuk ka asnjë marrëveshje në lidhje me Greqinë për detin. Ai ka akuzuar opozitën se duan të mbrojnë detin ndërkohë që arritën një marrëveshje që u anulua në 2019-n nga Gjykata Kushtetuese.
Rama i ka kthyer sërish përgjigje Bashës duke thënë se kërkesa për transparencë për diçka që nuk ekziston është qesharake dhe e poshtër. Ai shton se nëse do ishte negociata, grupi negociator do të duhej të ishte riformatuar dhe kjo gjë kërkon aprovimin e Presidentit.
“Është për të vënë duart në kokë që ka njerëz që mund të besojnë se ata që e firmosën atë marrëveshjen e famshme që ne e refuzuam dhe Gjykata Kushtetuese e refuzoi i kanë dalë tani në mbrojtje nga ne. Ajo që të gjithë duhet të kuptojnë është që nuk ka një marrëveshje. S’është arritur negociatat janë ndërprerë qysh kur ndërroi qeveria në Greqi. Madje grupi negociator duhet të riformatohet dhe kjo kalon edhe përmes Presidentit që duhet ta aprovojë. Që të thotë thuaj sot bëj transparencë për diçka që nuk ekziston është qesharake dhe e poshtër, shumë e poshtër. Jam i bindur se pikërisht pse ky popull është i mençur dhe kush e merr për budalla e pëson dhe kjo është një arsye pse do ta pësojnë shumë keq ata që e marrin për budalla me këtë historinë e detit”, tha Rama, nga Shijaku ku vizitoi së bashku me ministrin Arben Ahmetaj procesin e rindërtimit në zonë.