Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, u ka dërguar një letër krerëve të partive politike duke u kujtuar që janë përgjegjës për personat që emërojnë si kandidatë për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Edhe pse individët janë përgjegjës për të treguar historikun kriminal, krerët e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklarimeve të personave që kërkojnë të zgjidhen nën siglën e partisë së tyre”, thotë Kim në letrën dërguar kryetarëve të partive politike shqiptare.
“Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin dhe mbështesin këdo që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë të pandëshkuar dhe në mënyrë të paligjshme. Ne do të vazhdojmë të ndalojmë hyrjen në vendin tonë të personave të korruptuar, ju mund të keni rolin tuaj në këto përpjekje duke i mbajtur këta persona jashtë listave tuaja”, shton Kim.