Kryesore Vetting politikës/ Gati Byroja e Hetimit: Cilët janë zyrtarët në shënjestër

Vetting politikës/ Gati Byroja e Hetimit: Cilët janë zyrtarët në shënjestër

Pas gjyqtarëve dhe prokurorëve, laku i llogaridhënies, kontrollit dhe transparencës pritet të ngushtohet gradualisht edhe për politikanët. Zbarkimi i ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Italia dhe Belgjika për skarcimin e kandidatëve dhe monitorimin e ngritjes së institucioneve të Vetingut, i hap automatikisht rrugën një tjetër procesi, i cili prek të gjithë ish-funksionarët dhe funksionarët e lartë në Shqipëri.

Shqiptarja.com ka mësuar nga burime jozyrtare se misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë do të nisin procedurat për ngritjen e komisionit për themelimin dhe funksionimin e Byrosë së Hetimit, superstrukturës që do të godasë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta, për llogari të Prokurorisë së Posaçme, e cila do të përfaqësojë akuzën në Gjykatën Speciale.

Komisioni do të përbëhet nga ekspertë me përvojë të drejtësisë penale nga SHBA dhe Evropa. Komisioni do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare.

Gjithashtu, komisioni vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Bazuar në ligjin për ngritjen e organeve anti-korrupsion dhe në disa marrëveshje, ekspertët do të asistojnë hetuesit e Byrosë së Hetimeve edhe në veprimet e para hetimore.

Afatet

Brenda muajit shkurt do të sigurohen pajiset për Byronë Kombëtare të Hetimit. Për të mundësuar pajisjet, përpos qeverisë shqiptare, do të ndihmojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Afati parashikohet në pikën 4 të nenit 57 të ligjit për SPAK (ligji për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar). Po ashtu, sipas ligjit, qeveria duhet të kishte siguruar një mjedis të përshtatshëm pune për Byronë e Hetimit.

Nga ana tjetër, ligji nuk përcakton një afat për nisjen e aplikimeve, për të shërbyer në Byronë e Hetimeve, por përcaktuese për këtë proces është ngritja e institucioneve të Vetingut.

Kjo për shkak se, komisioni i posaçëm që bën verifikimin e pasurisë dhe figurës të anëtarëve dhe drejtuesve të institucioneve të reja anti-korrupsion, ka në përbërja dy anëtarë, që do të jenë prokurorë specialë, të cilët duhet t’i nënshtrohen procesit të Vetingut.

Struktura për dosjet e funksionarëve

Në ligjin për SPAK, është parashikuar një sesion special për të mbledhur të dhëna rreth zyrtarëve të përfshirë në praktika korruptive. Bëhet fjalë për seksionin e dokumentacionit në Prokurorinë e Posaçme.

Ky sesion është ngarkuar me detyrën për të mbledhur në mënyrë sistematike të dhëna për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos në nivele të larta.

Po ashtu, sesioni krijon dhe mban një bazë të dhënash që shërben si burim informacioni në procedimet për vepra penalet penale të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, kompetencë e Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale. Më të dhëna, nënkuptohen dokumentet elektronikë apo fizikë, fotografitë, regjistrimet, të dhënat, emrat ose çdo informacion tjetër me shkrim apo verbal, rreth subjekteve të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive.

-Funksionarët në shënjestër të Byrosë

-Presidenti i Republikës, ish-presidentët

-Kryetari i Kuvendi, ish-kryetarët e Kuvendit

-Kryeministri, ish-kryeministrat

-Ministrat, ish-ministrat

-Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

-Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë

-Prokurori i Përgjithshëm, ish-kryeprokurorët

-Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

-Kryetarit të Bashkisë, ish-kryebashkiakët

-Deputetët, ish-deputetët

-Zëvendësministrat, ish-zëvendësministrat

-Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor

-Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,

-Drejtuesit e institucioneve qendrore, ish-drejtuesit e institucioneve qendrore

-Drejtuesit e institucioneve të pavarura, ish-drejtuesit e institucioneve të pavarura