Ekonomi ANALIZA/ “Rrokullisja” e euros, arrin nivelin më të ulët që nga viti...

ANALIZA/ “Rrokullisja” e euros, arrin nivelin më të ulët që nga viti 2009

Zhvlerësimi i euros kundrejt lekut regjistroi një rekord të ri të enjten. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 132.4 lekë, çka përfaqëson nivelin më të ulët që nga maji i vitit 2009.

Sipas ekspertëve, rënia në nivelin më të ulët në tetë vitet e fundit motivohet nga oferta e lartë e monedhës së përbashkët europiane në treg, raporton Scan.

Ky zgjerim i ofertës në dy vitet e fundit është shpjeguar me rritjen e investimeve të huaja direkte, të të ardhurave nga turizmi, por edhe me një kontribut në rritje nga aktivitetet e jashtëligjshme.

Më specifikisht, gjatë muajit qershor, besohet se sasia e euros në qarkullim është zgjeruar për shkak të shpenzimeve për fushatën zgjedhore.

Mbetet për t’u parë nëse nënçmimi euros do të frenohet pas zhvillimit të zgjedhjeve, megjithatë, nëse i referohemi tendencave historike, muajt e verës kanë më shumë të ngjarë ta zhvlerësojnë më tej monedhën europiane.

Në sezonin veror, historikisht euro dobësohet, për shkak të prurjeve në rritje nga turizmi dhe remitancat.

Nëse e njëjta gjë do të konfirmohet edhe këtë vit, euro mund të zhvendoset drejt kufirit të ri të 130 lekëve, pasi për afro një dekadë niveli referues kishte qenë ai i 140 lekëve.

Zhvlerësimi i euros është një problem për sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare. Nëse në industrinë nxjerrëse dobësimi i euros po kompensohet nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, më e rrezikuar është industria e fasoneve, ku rritja e çmimeve është e vështirë, për shkak të kontratave dhe konkurrencës më vendet e tjera.

Dobësimi i euros do të ulë fitimet dhe do të rrezikojë rritjen e punësimit në këtë sektor të ekonomisë.

Një tjetër degë e rëndësishme e ekonomisë që do të preket nga zhvlerësimi i euros është turizmi.

Në përgjithësi, subjektet dhe individët që kanë të ardhura në euro, ndërsa shpenzimet i kryejnë në lekë janë të penalizuara nga zhvlerësimi i monedhës europiane. Kjo vlen edhe për depozituesit që kanë zgjedhur t’i mbajnë kursimet në euro, tendencë kjo në rritje gjatë dy viteve të fundit.

Përkundrazi, nga zhvlerësimi i euros përfitojnë individët dhe subjektet me të ardhura në lekë dhe shpenzime në euro. Grupi më i rëndësishëm janë kompanitë importuese.

Zhvlerësimi i euros krijon hapësira për rritje të fitimeve ose për ulje të marzheve, për të qenë më konkurrues në shitjen e produkteve të importit në tregun e brendshëm.

Një euro më i dobët rrit premisat që shqiptarët të paguajnë më pak për mallrat e konsumit të përditshëm, shumica e të cilave importohen në euro.

Zhvlerësimi i euros është një faktor që dobëson presionin e inflacionit të importuar në ekonomi dhe mund të sjellë vlera më të ulëta të inflacionit nga ato të parashikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në teori, një zhvlerësim i ndjeshëm i euros do të ngushtojë deficitin e llogarisë korrente të vendit. Përfitime kanë edhe bizneset apo familjet që kanë kredi në euro dhe të ardhura në lekë, sepse në konvertimin e këstit të kredisë ata paguajnë më pak.

Dobësimi i euros gjithashtu mund të favorizojë investimin në pasuri të paluajtshme, ku përgjithësisht çmimet ende janë të kuotuara në monedhën europiane.