Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka deklaruar se fitorja e tij në zgjedhjet e 9 gushtit ishte legjitime, duke insistuar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ai ka akuzuar vendet e tjera se po nxisin protestat, për të cilat ka thënë se nuk duhet të zgjerohen përtej Minskut.
Lukashenko u shpreh se protestat në vend po ndikohen nga jashtë, duke cituar Poloninë, Çekinë, Lituaninë dhe Ukrainën si burim i influencës.
Duke folur në një takim me zyrtarët e rinj të caktuar në Minsk, Lukashenko tha se vendet fqinje dëshirojnë që rendi në Bjellorusi të bjerë.
“Ndikimi i huaj është i madh. Ai rrjedh nga Polonia, Çekia, Lituania dhe Ukraina. Ju e dëgjuat deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai foli hapur për atë që po ndodh në kufijtë tanë. Natyrisht, ne do të reagojmë ndaj çdo agresioni ndaj Bjellorusisë. Ajo që duhet të bëjmë është të mos lejojmë që në Minsk të ndizet zjarri, sepse gjithçka lind në kryeqytet dhe më pas përhapet në mbarë vendin”.
Lukashenko pretendon se ka siguruar një fitore dërrmuese në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, por protestuesit thonë se ajo u arrit përmes manipulimit të votave, ndaj dhe prej më shumë se 3 javësh manifestojnë për të kërkuar largimin e tij.