Sport Milan, Brahim Diaz ka firmosur, tani në sulm për Jovicin

Milan, Brahim Diaz ka firmosur, tani në sulm për Jovicin

Në ditën e nënshkrimit të kontratës me Brahim Diaz (do ta lidhë atë me ngjyrat kuqezi), Milani është hedhur në sulm për një tjetër lojtar të Real Madridit, Luka Jovicin. Maldini dhe Massara janë ende në kërkim të një përforcimi për sulmin dhe qendërsulmuesi serb konsiderohet alternativa më e mirë.

Kushtet tani kanë ndryshuar, Milani për të synuar kualifikimin në Champions është gati të pranojë huazimin për një vit, pa hyrë në diskutime për blerjen e mundshme të futbollistit. Shoku dhe ish-partneri i Rebicit në kohën kur të dy luanin për Eintracht Frankfurtin, po kërkon të rigjejë formën pas një viti plot errësirë në “Bernabeu” sa nga dëmtimet aq edhe nga ngjarjet jashtë fushës.

Drejtuesit e Milanit po kërkojnë një zëvendësues për Ibrahimovicin, por duhet të negociojnë kushtet ekonomike me Realin, që pagoi 60 milionë euro për kartonin e tij verën e kaluar. Jovic është i tepërt te “Los Blancos” dhe nga huazimi te Milani do të përfitonin të gjithë.

Ndryshe nga sa është rënë dakord midis dy klubeve për Brahim Diaz, i cili ka nënshkruar kontratën dhe do të stërvitet në Milanello me grupin, huazimi i Jovicit do të jetë vetëm për një vit, më pas do të kthehet në “Bernaneu” për ta provuar sërish shansin. Paga e serbit është 5 milionë euro neto në vit.

Sidoqoftë, lëvizjet e merkatos së Milanit nuk mbarojnë këtu. Për Bakayokon po punohet pa u lodhur për të zhbllokuar situatën me Chelsea-n, për t’i dhuruar Piolit “mesfushorin e katërt titullar”. Kërkohet gjithashtu një portier i dytë i besueshëm. Vazhdon të qarkullojë emri i Begovicit, por zërat e fundit flasin për një interes konkret për Consiglin e Sassuolos, i cili është entuziast për përfundimin e karrierës së tij në një klub të madh.