Pandemia duket se nuk i ka ndaluar kultivuesit e kanabisit në Shqipëri, ku edhe gjatë 2020, raportohen me mijëra bimë të mbjella në të gjithë vendin.
Televizioni Klan ka zbuluar disa prej të dhënave të policisë lidhur me asgjësimin e kanabisit dhe se cilat janë zonat të cilësuar “njolla të zeza” në Shqipëri.
“Dukagjini, Vlora dhe Fushë-Kruja rezultojnë zonat me sasinë më të madhe të kanabisit”.
Në Vlorë janë zbuluar rreth 37 parcela me kanabis përgjatë këtij viti, në Fushë-Krujë, 48, ndërsa në Dukagjin, më shumë se 40.
Ndërkohë janë edhe 7 zona të tjera ku rezulton se është kultivuar kanabis në sasi të mëdha përgjatë këtij viti.
Pylli i Semanit, sidomos zona pranë grykëderdhjes së Lumit Vjosa, ka qenë e preferuar nga trafikantët, me rreth 18 parcela sipas policisë.
Gjithashtu edhe në Mallakastër, Tepelenë dhe Memaliaj janë zbuluar rreth 47 parcela kanabisi.
Në veri të vendit mbeten problematike terrenet e thyera në Shkodër me 10 raste të raportuara. Parcela me kanabisi ka pasur edhe në Laç, ndërkohë që ka një shtim të rastet të kultivimit, në zonat malore të Librazhdit, ku janë zbuluar 14 parcela.
Janë 10 zona në Shqipëri që cilësohen tashmë si pika kyçe për hashashin. Kryesisht trafikantët hapin toka mes pyjeve, ose në male dhe aty nisin kultivimin.
Në shumicën e rasteve pas hashashit në këto zona qëndrojnë grupe kriminale, por ka dhe raste kur banorë të zonës nisin rrugën e prodhimit të bimës së ndaluar.
Burimi: Tv Klan