Sport Kaos në Suedi, Kulusevski: Unë në pankinë? U trondita. Dhe Ibra e...

Kaos në Suedi, Kulusevski: Unë në pankinë? U trondita. Dhe Ibra e mbron: Trajner i paaftë

Dejan Kulusevski, ylli suedez i Juventusit, ka qenë protagonist në ndeshjen e luajtur mes Suedisë së tij dhe Francës. Një gol apo një magji në fushë? Jo. Thjesht kritikat e bëra pas ndeshjes.

I aktivizuar vetëm në minutën e 70-të të ndeshjes, për të zëvendësuar Sebastian Larsson, ish-mesfushori i Parmës është shprehur shumë i habitur për faktin se nuk ka qenë titullar dhe që nuk ndihmoi dot që skuadra e tij të mos humbiste.

Kulusevski e ka komentuar në mënyrë të drejtpërdrejtë vendimin e trajnerit Andersson për të mos e aktivizuar nga fillimi i ndeshjes kundër Francës: “Nuk kam patur kohë të kisha një ndikim te ndeshja. Jam tronditur nga fakti se jam aktivizuar nga stoli. Në stërvitje ka shkuar gjithçka mirë, por nuk e di. Edhe kjo është pjesë e futbollit. E pranoj se është një ndjesi e çuditshme, por e respektoj zgjedhjen e trajnerit”.

Trajneri Andresson ka provuar të minimizojë, por në krah të juventinit ka dalë Zlatan Ibrahimovic.

Suedezi ka sulmuar trajnerin e kombëtares me një postim në Twitter: “Çfarë shakaje e shëmtuar. Një tjetër konfirmim: persona të paaftë në pozicionet e gabuara që po i marrin frymën futbollit suedez”.