Tetë anëtarët e zgjedhur për Kolegjin Zgjedhor janë betuar këtë të enjte për detyrën e re në një ceremoni publike të organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në godinën “Poli i Drejtësisë”.
Sokol Ibi, Manjola Xhaxho, Edlira Petri, Emona Muçi, Asim Vokshi, Gentjan Medja, Esmeralda Çeka dhe Alma Kolgjoka marrin në këtë mënyrë detyrën e re dhe do të gjykojnë mosmarrëveshjet apo ankesat që do të kenë subjektet elektorale që do të garojnë në zgjedhjet e 25 Prillit.
Të gjithë këta gjyqtarë kanë kaluar procesin e Vettingut dhe shumica e tyre vijnë nga gjykatat e rretheve.
Ata u përzgjodhën me short më 8 Shtator nga 16 kandidatë në total. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, anëtarët e Kolegjit qëndrojnë në këtë detyrë për një mandat 4-vjeçar.