Ekonomi Raporti i DASH: Korrupsioni, problem për investimet e huaja

Raporti i DASH: Korrupsioni, problem për investimet e huaja

Korrupsioni, mungesa e transparencës dhe garës në prokurime, praktikat e partneritetit publik-privat (PPP) dhe ato të bizneseve informale mbeten problemet kryesore që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dëmtojnë klimën e biznesit dhe pengojnë investimet e huaja në Shqipëri.

“Investitorët e huaj e shohin Shqipërinë si vend ku vështirë të bëhet biznes. Ata përmendin si probleme të vazhdueshme në Shqipëri korrupsionin, në veçanti në sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike, dhe respektim i dobët i kontratave. Rritja e përdorimit të kontratave me partneritet publik-privat në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë, ul mundësinë e konkurrencës, përfshirë këtu edhe nga investitorët e huaj,” – shprehet DASH.

“Investitorët amerikanë pengohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal. Shumë investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të vazhdueshme si nga ente publike po ashtu dhe nga ente private, përfshirë edhe disa që shkuan në abritrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, një kompani amerikane që u përpoq të investonte dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të tjera të interesuara që u përfshinë në mosmarrëveshje për investimin,” – vazhdohet më tej në raportin e Departamenti Amerikan duke nënkuptuar këtu çështjen e të drejtave për administrimin e dyqaneve (Duty Free) në aeroportin e Rinasit, të cilat i mbetën një kompanie shqiptare pavarësisht se garën e kishte fituar një kompani amerikane.

Një tjetër shqetësim i rëndësishëm janë edhe problemet me pronat.

“Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të tjetërsuar pronësinë e tokës. Mbivendosja e titujve të pronave është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokën e konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë, joefikas dhe i papërshtatshëm. Sidoqoftë, parlamenti miratoi një ligj mbi regjistrimin e kërkesave të pronës në 16 Prill, i cili do të sigurojë një lehtësim për mbajtësit e titujve”.

Megjithatë, DASH e sheh shpresën për ndryshim tek reforma e sistemit të drejtësisë e miratuar 4 vite më parë dhe që është duke u zhvilluar aktualisht. Me përfundimin e saj dhe shkarkimin e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të lidhur me krimin dhe që kanë pasuri të pashpjegueshme, çka është edhe kusht për anëtarësimin në BE pritet të ketë përmirësim të klimës së investimeve në vend.