Kryesore Besa Shahini: Kush më diskriminoi në Shqipëri dhe biseda me Ramën për...

Besa Shahini: Kush më diskriminoi në Shqipëri dhe biseda me Ramën për largimin

Besa Shahini tha se nuk e dinte pse kryeministri Edi Rama zgjodhi ditën e parë të shkollës për ta larguar. Në një intervistë për emisionin “Open” në TCH ajo tha se e kishte diskutuar prej kohësh largimin e saj me Ramën, por nuk kishte lënë afat.

“Në fillim të korrikut kemi filluar një bisedë me kryeministrin, ku i thashë se nëse nuk mund të vazhdohet për një mandat tjetër, më mirë të jetë dikush tjetër. Kërkova lirimin, por isha e gatshme të punoja deri në zëvendësimin tim. Nuk ishte dorëheqje e menjëhershme, i lashë lirinë Ramës të zgjidhte.

Kam kërkuar të lirohem në fillim të korrikut, kemi diskutuar që mund të jetë në fund të shtatorit. Pse ditën e parë të shkollës? Mendoj që duhet të pyesni kryeministrin për këtë, sepse për ditën e parë të shkollës kemi kohë që punojmë. Është marrë një vendim dhe është zbatuar sot, nuk ka simbolik largimi i sotëm”, tha ajo.

Shahini: Kush më diskriminoi në Shqipëri për dialektin tim

Ish-ministrja e Arsimit Besa Shahini thotë se është ndier e fyer nga sulmet e opozitës që e kanë diskriminuar për prejardhjen e saj nga Kosova.

“Opozita në Shqipëri nuk e ka përkrahur ardhjen tonë nga Kosova. Madje e kanë lidhur me dialektin. Sipas tyre kush flet në këtë dialekt nuk është mjaftueshëm inteligjent. Kanë shkuar deri në racizëm. Për derisa nuk gjenin arsye të kritikonin punën ata vendosën të marrin këtë linjë.

I kuptoj rrjetet sociale ku flitet pa ndonjë lloj filtri, por e kam pasur të papranueshme që të akuzohem nga opozita për prejardhjen time. Kanë qenë ish-deputetë të PD dhe deputetë të PD, këshilltarë dhe analistë që pastaj janë angazhuar në PD.

Ka qenë mjaft antishqiptare. Ata kanë shfrytëzuar një element që mund të ngjisë në popullatë. Me këtë kanë ofenduar veriun që flasin gjuhën time.

Ka pasur zëra nga shoqëria dhe PS? Jo. E kam ndier nga opozita dhe mediat e tyre. Kurrë nuk e kam ndier në takime me popullin. Fushata që ndërtuan muajt e fundit ka qenë jo aq shqiptare.

PS ka qenë skeptike për ne të ardhurit nga Kosova, por më pas është shuar. Ne kemi treguar qasjen tonë të majtë dhe kauzën tonë për PS-në. Ka qenë një tjetër lloj ballafaqimi në PS”, tha Shahini.