Preng Gjini, të cilit pasditen e së martës iu bë atentat me tritol në makinë, ndodhet në gjendje të stabilizuar në Spitalin e Traumës. Mësohet se 50-vjeçari ka pësuar dëmtime në pjesën e gjymtyrëve dhe në pjesën e barkut.
Një grup i posaçëm i policisë po heton ngjarjen që tronditi kryeqytetin në zonën e Nesharakut. Deri më tani dihet se sasia e konsiderueshme e tritolit ishte vendosur mbi gomën e parë në anën e pasagjerit.
Hetuesit kanë dyshime të arsyeshme se porositësit dhe ekzekutorët kanë patur informacione se Preng Gjini udhëtonte si pasagjer në automjetin tip “Mercedes-Benz A-Class”. Por, pasditen e së martës mesa duket plani nuk shkoi sipas parashikimeve. Autoritetet kanë mësuar se automjeti që drejtohej nga 50-vjeçari Gjini nuk është në pronësi të tij, por zotërohet nga një i afërm i të plagosurit.
Nga informacionet e grumbulluara rezulton se Preng Gjini dhe i afërmi i tij qarkullonin shpesh me të njëjtën makinë, teksa 50-vjeçari ulej në sediljen e pasagjerit. Por pasditen e 15 Shtatorit, 50-vjeçari kishte marrë drejtimin e mjetit dhe ishte i vetëm në makinë.
Atentatorët e mbanin në vëzhgim dhe shpërthyen në distancë me telekomandim tritolin që ndodhej poshtë makinës së Gjinit në anën e djathtë, sapo mjeti tip “Benz” ndodhej mbi urën e Selitës.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë u plagos lehtë edhe një kalimtar italian, ndërsa pati dëme të vogla materiale edhe në automjetet e tjera.
Policia po e heton këtë ngjarje në pistën e hakmarrjes. Një vit më parë, Preng Gjinit i vranë vëllanë Armando Gjini, në qytetin e Rrëshenit, i cili u ekzekutua në makinë në prani të bashkëshortes dhe fëmijës.