Kryesore Kur do t’i kthehemi normalitetit të vjetër? OBSH tregon datën

Kur do t’i kthehemi normalitetit të vjetër? OBSH tregon datën

OBSH: Nivel alarmant i transmetimit të COVID-19 në Europë. Të mos shkurtohet karantina 14-ditore për të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me virusin

Kur do t’i kthehemi normalitetit të vjetër? Kjo është pyetja që e bën çdo njeri gjatë kësaj periudhe dhe përgjigjen mundohen që ta japin autoritetet shëndetësore, shkencëtarët dhe qeveritë.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë llogaritjet e veta dhe sipas Soumya Swaminathan, jeta normale nuk do të kthehet para vitit 2022.

“Vetëm në vitin 2022 do të ketë mjaftueshëm persona të vaksinuar për të zhvilluar imunitet”, tha doktoresha e OBSH-së për CNN.

Sipas saj, vaksina do të jetë e disponueshme shumë më përpara, por efekti i saj nuk do të jetë i menjëhershëm, pasi do të duhet kohë që të prodhohet për vaksinim masiv.

OBSH: Nivel alarmant i transmetimit të COVID-19 në Europë

Niveli i transmetimit të COVID-19 është alarmant në Europë, theksoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që u shpreh e shqetësuar për lehtësimin e karantinës së vendosur ose të parashikuar në disa vende, përfshirë dhe Francën.

“Shifrat e shtatorit duhet të shërbejnë si alarm për të gjithë ne në mbarë Europën, ku numri i rasteve të reja është tashmë më i lartë se ai i regjistruar në mars dhe në prill”, deklaroi sot drejtori i degës së Europës të OBSH-së, Hans Kluge.

OBSH ka përjashtuar gjithashtu shkurtimin e rekomandimit të saj për një karantinë 14-ditore për të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me virusin.

“Rekomandimi ynë 14-ditor i karantinës bazohej në kuptimin tonë të periudhës së inkubacionit dhe transmetimit të sëmundjes, ne vetëm do ta rishikonim atë bazuar në një ndryshim në kuptimin tonë të shkencës, që nuk është rasti deri më tani”, nënvizoi Catherine Smallwood, përgjegjëse për situatat emergjente në OBSH për Europën.