Bota Beteja për Gjykatën e Lartë, Biden: Trump po abuzon me pushtetin

Beteja për Gjykatën e Lartë, Biden: Trump po abuzon me pushtetin

Ende nuk kanë përfunduar homazhet për anëtaren e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, por republikanët planifikojnë pasuesen e Ruth Bader Ginsburg.

“Presidenti duhet ta mbushë atë karrige, apo jo? Dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë”, tha Trump.

Por kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden akuzon Donald Trump për abuzim me pushtetin.

“Ka ardhur momenti që votuesit të kenë një shans që zëri i tyre të dëgjohet dhe besoj se ata do ta bëjnë të qartë se nuk mbështesin këtë abuzim me pushtetin”, reagoi Biden.

Presidenti Trump thotë se do të propozojë një grua për të zëvendësuar ikonën liberale të drejtësisë, e cila ndërroi jetë të premten në moshën 87-vjeçare. Ndërsa Biden iu bën thirrje senatorëve republikanë që të shtyjnë votimin për konfirmimin e saj, pasi mbron qëndrimin se anëtarja e Gjykatës së Lartë duhet të emërohet pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Përplasja për zëvendësimin e Ginsburg, i ka dhënë një tjetër dinamikë rivalitetit mes dy partive kryesore amerikane. Demokratët i druhen një votimi të republikanëve për të përfituar një maxhorancë konservatore në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, situatë e cila do të zgjaste për dekada.

Ruajtja e balancës në gjykatën me 9 anëtarë është thelbësore, pasi ky institucion shqyrton çështjet më të rëndësishme të ligjeve amerikane.