Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, pagat e mjekëve dhe infermierëve do të pësojnë një rritje deri në 40 përqind. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili teksa inspektoi punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës së maternitetit të Beratit, tha se po bëhen përllogaritjet për të siguruar një rritje të ndjeshme të pagave në shëndetësi, krahas atyre në arsim.
“Por, ajo që ma ha mendja dhe që është qershia mbi tortë është ndërhyrja që do bëjmë në këtë buxhet për pagat e mjekëve, infermierëve dhe personelit mjekësor. Do bëjmë një ndërhyrje të fortë dhe do jetë rritje e konsiderueshme. Akoma nuk duam të flasim për shifrën finale, por besoj se do arrijmë në 40%. Po e konsultojmë këto ditë, sepse duam ta bëjmë të kombinuar bashkë me pagat e mësuesve dhe plotësojmë një zotim të marrë që do të kemi rritje 40% në këtë katërvjeçar, që po mbyllim për pagat e mësuesve. Duam të shkojmë atje”, tha Rama.
Një tjetër investim që po kryhet në Berat është edhe ai për rehabilitimin e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane, nëpërmjet të cilit synohet t’i jepet fund një problematike që shoqëron banorët e Beratit prej dekadash.
Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi bëri të ditur se ky investim do t’i japë zgjidhje gjithashtu edhe problematikës së ndotjes së ujërave të lumenjve.
Kryeministri inspektoi edhe punimet që po kryhen për rindërtimin nga e para të rrugës automobilistike që të çon në kala, si dhe ato për rikonstruksionin e shkollës profesionale “Stiliano Bandilli”.