Luis Suarez nuk mund të pajiset në kohë me pasaportë italiane dhe Edin Dzeko është bllokuar nga tekat e Arkadiuz Milik, por te Juventusi nuk kanë ndërmend të humbin kohë dhe kanë mbyllur menjëherë marrëveshjen për rikthimin në Torino të Alvaro Moratës.
Lajmi është dhënë nga mediat italiane dhe ka gjetur konfirmim edhe nga ato spanjolle, që kanë shtuar se sulmuesi nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e Atleticos së Madridit dhe se do të niset që sonte drejt Torinos.
Nesër pritet që Morata të kryejë testet mjekësore dhe më pas të hedhë firmën mbi kontratën që do ta lidhë me Juventusin, ndërsa nga e mërkura do të vihet në dispozicion të Andrea Pirlos, që dikur e kishte shok skuadre, ndërsa tani do ta ketë trajner.
Marrëveshja me Atleticon e Madridit është arritur mbi bazën e huazimit për 10 milionë euro, me të drejtë blerjeje për shifrën e 45 milionë eurove verën e ardhshme, ndërsa 28-vjeçari pritet të nënshkruajë për 5 sezone me Juven.
Sulmuesi spanjoll ka veshur fanellën bardhezi në sezonet 2014-2016 dhe ka luajtur 93 ndeshje, gjatë të cilave ka shënuar 27 gola, ndërsa tani pritet të formojë treshen ofensive me Ronaldon e Dybalën.
Suarez zëvendëson Moratën tek Atletico
Luis Suarez do të vijojë karrierën në Spanjë, por jo te Barcelona. Sipas “Mundo Deportivo”, sulmuesi uruguajan ka arritur marrëveshjen me Atletico Madrid.
Suarez do të nënshkruajë një kontratë 2-vjeçare dhe do të përfitojë 9 milionë euro në sezon.
Sipas “Rac1”, 33-vjeçari ka rënë dakord me Barcelonën për të hequr dorë nga gjysma e pagës që i takon deri në vitin 2021 në këmbim të largimit.