Politika Hajdari flet për kërcënime ndaj saj: Do të vazhdoj betejën për hapjen...

Hajdari flet për kërcënime ndaj saj: Do të vazhdoj betejën për hapjen e listave

Gjiknuri: Opozita do që të bllokojë ndryshimet kushtetuese

Edhe një herë tjetër Këshilli Politik mbylli një mbledhje që nuk prodhoi asnjë dakordësi mes palëve. Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, deklaroi se opozita do që të minojë dhe të bllokojë ndryshimet kushtetuese.

Gjiknuri deklaroi se u ka kërkuar përfaqësuesve të opozitës që të sjellin propozime reale.

“Unë prita nga PD, ata kundërshtuan me apriori. Propozimet në Këshill duhet të vijnë me shkrim dhe partitë të përcaktojnë qartë qëndrimin e tyre. Tentativa si këto janë për ta minuar këtë proces për të bllokuar hyrjen në fuqi apo zbatimin e amendimeve kushtetuese nëpërmjet kodit zgjedhor. Nuk do ta lejojmë këtë. Ligji duhet të plotësohet. I mirëpresim deri ditën e fundit. Procedura në parlament ka filluar. Jemi të gatshëm për të punuar 24 orë”, tha Gjiknuri.

Ai u shpreh se qeveria është e gatshme të punojë 24 orë për një zgjidhje të përbashkët, por nëse opozita nuk sjell propozimet, drafti i Partisë Socialiste do të vazhdojë punën në komisionet përkatëse për të kaluar më vonë në Kuvend.

“Natyrshëm që ne nuk do të lejmë vakum ligjor. Do të bëjmë çmos që të gjejmë zgjidhje, por nëse nuk duan të prononcohen ne do të vazhdojnë. Këshilli politik është krijuar për shkak të dëshirës së mirë të mazhorancës për të komunikuar me një palë që nuk është në parlament. Ne përtej edhe pse kishim rekomandimin e ODIHR zgjodhëm të plotësojmë kërkesat e PD-së”, tha Gjiknuri.

Ai shtoi se listat e hapura të propozuara nga PS-ja janë zgjidhja e duhur për Shqipërinë.

Hajdari flet për kërcënime ndaj saj: Do të vazhdoj betejën për hapjen e listave

Rudina Hajdari deklaroi këtë të martë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik se ka propozuar renditjen e deputetëve në rend alfabetik. Në këtë mënyrë sipas saj vendosin qytetarët për deputetët dhe jo kryetarët e partive.

“Propozova një renditje në rendin alfabeti, ku listat zgjidhen nga qytetari dhe jo nga partia. Opozita jashtëparlamentare ka mbështetur këtë propozim. Gjiknuri qëndron tek ideja që propozimi i tyre mbështet listat e hapura ndërkohë që nuk është e vërtetë. Me propozimin e PS, kryetari ka ende fuqinë që të zgjedhë deputetët që do të çojë në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Hajdari.

Opozitarja foli edhe për tentativa kërcënimesh ndaj saj sepse do të vazhdojë të luftojë për listat e hapura.

“Premtimet që unë bëj i marr seriozisht. Në Këshill anëtarët, kryesisht çojnë përpara apo luftojnë për interesat e kryetarit të tyre. Ne nuk mund të vijmë në Këshill për të çuar kërkesat e kryetarëve të tyre. Duhet të marrë fund kjo histori. Nuk do bëj asnjë marrëveshje në kurriz të shqiptarëve, do të bëj çfarëdolloj sakrifice për ta çuar këtë gjë deri në fund. Boll më me pazare, boll më me marrëveshje të fshehta pas kurrizit të shqiptarëve, pas kurrizit të vendit tonë dhe boll më me këto lloj abuzimesh sepse po flasim për taksat e shqiptarëve. Unë do ta vazhdoj këtë betejë pavarësisht se mund të ketë nga ata që do të tentojnë edhe të më kërcënojnë edhe të më shantazhojnë, të më nxjerrin në rrugë të tjera që unë të negocioj për këtë propozim që kam bërë”, tha Hajdari.