Në valën e sulmeve dhe debatit rreth ambasadorit amerikan Lu dhe përfaqësuesve të lartë të drejtesisë, shqiptare, një nga figurat më përfaqësuese të autoritetit moral në Shqipëri, nuk ka dilema në këtë pikë. Rexhep Qosja shprehet për “Dritare me Rudinën” në Vizion Plus se është me ambasadorin dhe beson te SHBA.
“Unë e kam përcjellë prej fillimit ambasadorin amerikan Donald Lu dhe ambasadoren e BE, Romana Vlahutin. Pavarësisht atyre që janë thënë e shkruar, unë reagimet e tij, paraqitjet e tij, që në disa raste mund të duken pak të tepruara, i kam quajtur të dobishme për Shqipërinë, e ka ndihmuar procesin e reformave që po bën qeveria në Shqipëri. Nuk e di a është e vërtetë ajo që dëgjova, që Kryeprokurori e ka dërguar bashkëshorten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të lindë atje dhe që fëmija të fitojë nënshtetësinë amerikane. Nëse është e vërtetë, ai Kryeprokuror i Shqipërisë humb besimin që duhet të kenë shqiptarët ndaj tij, humb legjitimitetin e kryeministrit të Shqipërisë.
Kjo për për bindjet e mia. Kur e dëgjova këtë lajm nisa të mendoj se ai kryeprokuror nuk meriton të jetë më kryeprokuror të Shqipërisë, mjerisht dhe i dhashë të drejtë ambasadorit Donald Lu.
Në këtë pikë, unë nuk kam dilema. E tha bukur gazeta Tema, “Shqipëria do të deklarohet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo për Kryeprokurorin” dhe unë mendoj se Shqipëria është e deklaruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për fatin tonë, interesat tona kombëtare dhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përputhur dhe Amerika e sheh se shqiptarët janë aleati i tyre i sinqertë, i natyrshëm, i kuptueshëm, i domosdoshëm,”- u shpreh profesor Rexhep Qosja në intervistën me Rudina Xhungën, që do të transmetohet ditën e hënë, në Vizion Plus.