Kur ka kaluar një shekull nga pandemia e ashtuquajtur gripi spanjoll, është e pamundur që të nxjerrësh konkluzione se cili ka qenë impakti në botë dhe në Shqipëri. Shpërthimi i kësaj pandemie erdhi një një kohë lufte, ku lajmet dhe statistikat ishin të censuruara e si rrjedhojë, impakti i saj sot nxirret në mënyrë rrethanore dhe shpesh edhe me rezerva. Megjithatë, konsiderohet si një ndër epidemitë më vdekjeprurëse në histori.
Pandemia e gripit të vitit 1918 vlerësohet se shkaktoi nga 20 deri në 50 milionë viktima në mbarë botën.
Si e mori emrin “Gripi Spanjoll”?
Spanja ishte një nga vendet e pakta europiane që qëndroi neutral gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë vendet e tjera që ishin në luftë kontrollonin shtypin dhe censuronin lajmet në mënyrë që të ndalonin uljen e moralit të qytetarëve të tyre dhe të ushtarëve që ishin në luftë. Duke qenë se shtetet e tjera kishin një errësirë totale në raportimin mediatik lidhur me ngjarjen dhe Spanja bënte raportime normale për infektimet dhe viktimat, u krijua ideja se Spanja ishte origjina e pandemisë. Ndërsa vetë spanjollët besonin se virusi u ishte transmetuar nga Franca, e madje vetë spanjollët e quanin “Gripi francez”. Megjithatë, në rang global, keqkuptimi mbeti dhe u trashëgua për një shekull, edhe pse nuk u konfirmua kurrë se Spanja ishte burimi i pandemisë.
Si u prek Shqipëria nga “Gripi Spanjoll”
Kur pandemia e njohur si gripi spanjoll u përhap edhe në Shqipëri, vendi në atë periudhë administrohej nga ushtritë e huaja; ajo italiane, austro-hungareze dhe franceze.
Si rrjedhojë, edhe menaxhimi i saj nuk mund të thuhet se u bë në mënyrë të centralizuar. Në atë periudhë vendit i mungonte një sistem shëndetësor i mirëorganizuar, mjekët dhe spitalet për të përballuar një ngjarje shëndetësore të kësaj përmase.
Nga ana tjetër, nëse shfletojmë shtypin e atyre viteve, gazetat kryesore që publikoheshin nuk kanë të reflektuar në faqet e tyre raportime për atë që ka ndodhur në vitet e pandemisë. Në dokumentet e arkivës së shtetit mund të gjesh qarkore që iu drejtoheshin autoriteteve lokale për masat parandaluese që duheshin marrë “për të parandaluar Gripin e Spanjës”.
Vetëm pas viteve ’20, në Shqipëri nis një periudhë stabiliteti ku shteti nis të organizohet në struktura përkatëse dhe nis të organizojë sistemin shëndetësor si dhe të mbajë statistika për llojet e sëmundjeve, pacientëve, mjekëve etj.
Ndikimi që ka pasur gripi spanjoll përmendet në kujtimet e Hajredin Bej Cakranit ku trajtohet ndihma që kjo familja u dha refugjatëve që kishin ardhur në Shqipëri nga si rrjedhojë e djegies së fshatrave të tyre nga grekët.
“Kur u kthyem në shtëpi, pamë muhaxhirët të cilët janë si rezultat i gripit spanjoll dhe nga fshatrat e djegura nga grekët, ku thuhet se 50-100 shpirtra vdesin çdo ditë, dhe ky nuk është një numër i vogël. Na kanë thënë që është grip dhe ky grip është shpërndarë në të gjithë Europën, i cili po vret njerëz në masë të madhe. Refugjatët na kanë thënë, kanë ardhur nga Vlora dhe nga të dyja anët e Vjosës. Dhe këtë tragjedi donte vendi ynë tani. Thjeshtë këtë mund ta quash katastrofë” shkruhet në kujtimet e Cakranit.
Por një dëshmi më të plotë të asaj që ka ndodhur në Shqipëri jep Petro Harizi në librin e tij të botuar në Boston në vitin 1919, me titull “Histori kronografike e qarkut të Korçës”.
Ai trajton aty shumë ngjarje, kryesisht periudhën kur Korça u shpall Krahinë Autonome nën administrimin francez. Në këtë periudhë, vjen edhe në Shqipëri edhe gripi spanjoll. Në rrëfimin e tij, Harizi e përshkruan ngjarjen si dramatike! Shifra e viktimave që Harizi jep për Korçën është e ngjashme me atë të Cakranit; rreth 40-50 viktima në ditë.
Por veçantia e rrëfimit të Harizit është se ai bën një përshkrim të detajuar të simptomave të sëmundjes, mënyrës sesi po kurohej ajo si dhe çfarë ndodhte nëpër familjet shqiptare që po e përballonin pas asistencë mjekësore këtë pandemi.
Epidemia ne Shqipëri me 1918
“Si hyri vjesht’ e parë (September) na erdhi dhe në Korçë epidemia e zezë dhe e tmeruar, ky armik kaqë i frikshëm dhe i dëmshmë, sa më pak muaj futi në dhe të zi kaq njerëz sa dhe lufta e përgjithshme në 4 vjet e sipër nuk vrau.
Kjo epidemi e madhe qe Gripi. Si thoshnin mjekësit, mikrobi i kësaj sëmundje qe ngjitur me dy mikrobe të tjerë, me të pneumonisë dhe të bronko pneumonisë. Më pak dit e nxehta i hipte të sëmurit për njëherësh gjet me 39-40 dhje 41 kriza dmth. shpëtimi ose vdekja.
Nuk vuante më tepër se 10, gjer më shumë 15 ditë. Prej kësaj semundje të tmerrshme dhe të dëmshme, shumë më tepër dhe se kolera, s’mbet njeri pothuaj pa atakuar, por më tepër dëmi bëheshe nëpër të rinjtë që më 15 gjer me 40-45 vjeç. Meqë mikrobi bënte atakun të fortë në mëlçija e bardhë të cilën po të gjente shumë të butë ose të pafuqishme e përvëlonte shumë. Prej atyre që vdiqnë nëpër spitalet edhe papastaj i çantë, ju gjent mëllcija e tyre e dërrmuar fare dhe e bërë si ndonjë eshkë. U tha një fjalë që të teprit vdiqnë edhe nga e pangrëna ose nga e ngrëna e të këtilla gjërave të cilave u kishte prishur stomakun e tërë.
Po me gjithë këto pamë që vdiqën njerëz shumë të shëndoshë nga stomaku dhe përkundrazi shpëtuan nga kjo sëmundje, nuk vdiqën, njerëz që kishin stomakun e prishur fare.
Gripi që sëmundje që nuk deshte ilaçe. Kishte vetëm aspirinë dhe të pira të ngrohta, çajra dhe të tjera.
Po si kënduam dhe nëpër gazeta e mëdha mendjet e doktorëve të shkëlqyer, dirsat e trupit të bollëkshme dhe shumë herë në ditë i bënim shumë mirë të sëmurit, i rrëzonin të nxehtë dhe më të shumtën herë i shëronin.
As ndonjë epidemi tjetër, as kolera, as murtaja nuk ka bërë kaq dëme në Korçë me kaq kohë të paktë, me 3 muaj e sipër sa bëri gripi
Numri i të vdekurve arriti në ditë deri në 45 në qarkun e Korçës, mundet që vdiqën deri në 5 mijë njerëz.
Po ajo gjë që më shumë e tmerruar që qe jo vetëm në një shtëpi qenë 4-5-6 të sëmurë por edhe vdiqën me një javë si dhe më një ditë 3 veta prej një familje.”
Harizi në rrëfimin e tij ndalet këtu, duke mos dhënë më shumë detaje në botimin e tij se si u menaxhua pandemia, apo se si u zhduk ajo në Shqipëri.
Megjithatë, ai evidenton se një ndër personat që humbi jetën ishte edhe një nga funksionarët e lartë të ushtrisë franceze që ndodhej në Korçë.
Të dhënat për impaktin e gripit spanjoll në Shqipëri janë trashëguar në formën e tregimeve nga të moshuarit, mbi bazën e perceptimit të tyre, informacioneve të ndryshme që ata merrnin gojë me gojë apo që shihnin vetë. Por mungon një studim i plotë lidhur me ndikimin konkret që kjo epidemi ka pasur në Shqipëri. /SCAN