Parlamenti grek do të votojë mbrëmjen e sotme marrëveshjen historike të Prespës, që i jep fund kontestit për emrin e Republikës së Maqedonisë.
Votimi pritet të bëhet afër mesnatës dhe marrëveshja të kalojë me 153 vota, nga 300 deputetët që ka parlamenti vendas.
Kundërshtarët e marrëveshjes kanë bërë thirrje për një protestë të re, mbrëmjen e votimit.
Për këtë arsye, autoritetet urdhëruan mbylljen e stacionit të metrosë në sheshin Syntagma, ndërsa 2.000 policë do të mobilizohen për ruajtjen e sigurisë të parlamentit dhe objekteve të tjera qeveritare në afërsi të sheshit.
Një tjetër protestë, e zhvilluar para katër ditësh, u shënua nga përleshje të ashpra midis policisë dhe grupeve ekstremiste që tentuan të futeshin në godinën e parlamentit.