Bota Rindizet lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, në “betejë” edhe Turqia

Rindizet lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, në “betejë” edhe Turqia

Përplasje ushtarake kanë rishpërthyer midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Konflikti i pazgjidhur mbi Nago-Karabakun, i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por i kontrolluar nga armenët etnikë zgjat prej katër dekadash.

Qeveria armene ka shpallur një gjendje lufte dhe ka njoftuar një mobilizim të përgjithshëm për shkak të përshkallëzimit të konfliktit të Nago-Karabakut.

Kryeministri armen Nikoll Pashinyan tha se forcat e armatosura të Azerbajxhanit kanë filluar një ofensivë në drejtim të rajonit të Nago-Karabakut dhe se mbrojtja po mban me sukses situatën nën kontroll.

Ministria e mbrojtjes e Armenisë tha se forcat e tyre rrëzuan dy helikopterë azerbajxhanas dhe tre dronë në përgjigje të sulmeve që ata thanë se filluan në 4:10 të mëngjesit GMT. Sulmi synoi vendbanimet civile, duke përfshirë qendrën rajonale të Stepanakert, raporton Reuters.

“Përgjigja jonë do të jetë proporcionale dhe udhëheqja ushtarake e Azerbajxhanit mban përgjegjësi të plotë për situatën”, tha Ministria armene e Mbrojtjes në një deklaratë.

Akuzat e ndërsjellta

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka thënë se ka nisur një operacion ushtarak përgjatë “vijës së kontaktit”, toka e askujt që ndan forcat e mbështetura nga armenët nga forcat azerbajxhanase në rajon, raportuan agjencitë ruse të lajmeve.

Ministria tha se helikopteri azerbajxhanas u rrëzua, por që ekuipazhi mbijetoi.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se kishte të vdekur dhe të plagosur në mesin e popullatës civile, edhe midis ushtarëve, e tha se “Azerbajxhani nuk do të qëndrojë i heshtur për veprimet e Armenisë”.

“Forcat armene filluan të qëllojnë ndaj pozicioneve, ushtrisë dhe vendbanimeve të Azerbajxhanit në drejtime të ndryshme përgjatë vijës së ndarjes këtë mëngjes. Zjarri u hap nga armë të ndryshme, duke përfshirë ato të kalibrit të madh. Ky është një tjetër provokim ushtarak nga Armenia”, u citua Aliyev nga Sputnik.

“Aktualisht, sulmet ndaj pozicioneve të armikut janë duke u zhvilluar, pajisjet ushtarake janë shkatërruar,” shtoi ai.

Konflikte të intensifikuara kufitare

Të dy vendet ish-sovjetike kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje rreth rajonit të shkëputur nga Azerbajxhani me shumicë armene të Nagarabagut dhe përplasjet kufitare janë intensifikuar në muajt e fundit.

Ministria e Jashtme armene dënoi “agresionin e udhëheqjes ushtarako-politike të Azerbajxhanit” dhe tha se pala armene do të përgjigjej siç duhej ushtarakisht dhe politikisht.

Armenët etnikë në Nago-Karabak shpallën pavarësinë gjatë konfliktit që shpërtheu pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991.

Megjithëse ranë dakord për një armëpushim në 1994, Azerbajxhani dhe Armenia kanë fajësuar njëri-tjetrin për sulmet rreth Nago-Karabakut dhe përgjatë kufirit shtetëror midis dy vendeve.

Reagimi turk

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se vendi i tij do të ishte me Azerbajxhanin në të gjitha mënyrat e mundshme në luftën e tij për të mbrojtur integritetin territorial.

Akar deklaroi se “Armenia pushtuese sulmoi Azerbajxhanin duke shkelur armëpushimin dhe përsëri tregoi se po kërkonte provokime”.

“Pengesa më e madhe për paqen dhe stabilitetin në Kaukaz është qëndrimi ofensiv i Armenisë dhe ajo duhet të heqë dorë menjëherë nga ky agresion që do ta hedhë rajonin në zjarr. Deri në fund dhe me të gjitha mundësitë, ne do të jemi me vëllezërit tanë në Azerbajxhan në luftën e tyre për integritetin territorial. Ne dënojmë me forcë këtë sulm të ndyrë nga Armenia”, tha Akar.