Bota Zvicra i thotë “JO” kufizimit të lëvizjes së lirë me BE

Zvicra i thotë “JO” kufizimit të lëvizjes së lirë me BE

Zvicra i tha sot “jo” me shumicë të madhe votash nismës së të djathtës populiste për të kufizuar emigracionin e shtetasve të Bashkimit Europian, sipas sondazheve të lëshuara menjëherë pas mbylljes së votimeve.

“Votuesit refuzuan me 63% të votave të ashtuquajturën nismë kufizimi të nisur nga UDC, partia kryesore e vendit”, tha Institutit i Sondazheve “gfs-Bern”.

Nisma e UDC, e cila konsideron se Zvicra po vuan nga emigracioni i pakontrolluar dhe joproporcional dhe se vendet e punës janë të kërcënuara, synonte t’i jepte fund Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të Personave (AFMP) me Bashkimi Europian, e nënshkruar në vitin 1999.

Qeveria zvicerane pati paralajmëruar qytetarët se votimi “po”, do ta çonte vendin në një situatë më të vështirë se Brexit, për shkak të së ashtuquajturës “klauzolë gijotinë”: Miratimi i iniciativës do të çonte, gjashtë muaj më vonë, në përfundimin automatik të gjashtë marrëveshjeve të tjera bilaterale dhe do të rrezikojë të vërë në pikëpyetje traktate të tjera të rëndësishme të përfunduara me BE-në.