Keidi Bare është një shndërruar në një nga pikat më të rëndësishme të formacionit të Edi Rejës në Kombëtaren Shqiptare, ndërsa së fundi ka bërë një transferim të bujshëm te një skuadër me emër si Espanyol.
Katalanët kanë zbritur këtë sezon në Segunda Division, por janë një nga ekipet më me traditë në futbollin spanjoll dhe do të provojnë rikthimin në elitë që këtë sezon, ndaj e konsiderojnë 23-vjeçarin një nga përforcimet më të rëndësishme.
Ndërkohë mesfushori fierak ishte i ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” në Supersport, ku zbuloi detajet e transferimit dhe pranoi se nuk ka hequr dorë nga ëndrra për të luajtur me Atleticon e Madridit në la Liga.
A është e vërtetë që transferimi juaj ka kapur shifrën e 2 milionë eurove?
Po, është shumë e vërtetë. Kartoni ka kushtuar 2 milionë euro, plus një milionë euro të tjera në formë bonusesh.
A e keni zgjedhur numrin dhe kur do t’u shohim në fushë me fanellën e Espanyolit?
Numrin nuk e kam zgjedhur ende, pasi për momentin jam në listën e pritjes. Unë nuk mund të luaj nëse nuk ikën ndonjë prej mesfushorëve aktualë dhe po pres largimin e ndonjërit prej tyre këto ditë, që të përfshihem në ekip.
A e sheh Espanyolin si një trampolinë për të bërë një hap më të madh në karrierë?
Unë besoj se kam ardhur në një ekip shumë të madh në Spanjë, pasi Espanypol është një nga 3-4 ekipet që ka qëndruar gjithmonë në la Liga. Jam i lumtur që jam këtu, pasi bëhet fjalë për një klub shumë të madh, me tradita dhe tifozëri shumë të mirë, ndaj shpresoj të rikthehemi menjëherë në La Liga.
A e keni peng që nuk debutuat me Atleticon e Madridit në Primera Division?
Është e vërtetë që më ka mbetur peng, por kurrë mos thuaj kurrë, pasi unë besoj se do të luaj shumë shpejt në La Liga dhe pse jo, një ditë të vesh sërish fanellën e Atleticos së Madridit.
Sa e rëndësishme ka qenë familja në ecurinë e karrierës tuaj?
Ka qenë shumë e rëndësishme, pasi kanë besuar te unë dhe më kanë sjellë edhe këtu në Spanjë, duke më ndihmuar e mbështetur. Jam shumë i lumtur që edhe unë e kam shpërblyer besimin e investimin e tyre, por jam me këmbë në tokë dhe dua të shkoj sa më lart.