Sport U largua papritur nga Tirana, ja ku pritet të transferohet Muça

U largua papritur nga Tirana, ja ku pritet të transferohet Muça

Në mënyrë tërësisht të befasishme, Tirana njoftoi se kishte ndërprerë bashkëpunimin me kapitenin Gentian Muça, pas një kërkese të vetë këtij të fundit për t’u larguar nga bardheblutë, duke qenë se së fundi kishte humbur vendin në formacion.

Mbrojtësi 33-vjeçar, i cili ishte një nga pikat më të forta të Tiranës së sezonit të fundit, kishte rinovuar kontratën vetëm në fillim të muajit gusht, ndërsa ditën e djeshme bardheblutë dhanë lajmin e largimit, të shoqëruar edhe me një mesazh të vetë mbrojtësit.

Burime për Supersport konfirmojnë se lojtari ka vendosur të largohet për të shkuar në një skuadër ku të ketë mundësi të luajë rregullisht, pasi ka 33 vite mbi supe dhe pankina do t’ia shkurtonte karrierën futbollistike.

Aktualisht Muça është në një fazë të avancuar bisedimesh me klubin e IPKO Superligës, Prishtinën, ndërsa edhe vetë presidenti i këtyre të fundit, Remzi Ejupi deklaroi në emisionin “Zona Gol” në Supersport, se zyrtarizimi mund të vijë shumë shpejt.

Te Prishtina Muça do të gjente edhe dy emra të tjerë të njohur të Superiores, Sabien Lilaj dhe Glendi Mici, të cilët iu bashkuan kryeqytetasve në ditët e fundit të muajit gusht me synimin për të ndërtuar një skuadër të denjë për të garuar për titullin kampion.

Ndërkohë mbrojtësi është kontaktuar edhe nga klubet e Superiores si Kukësi e Vllaznia, por duket se vetë Muça e ka marrë vendimin e tij dhe pritet të transferohet në Kosovë, ku do të ketë mundësinë të luajë si titullar, shkruan Supersport.