Duhej të ishte ndeshja e Edin Dzeko, njeriut më të pritur nga të gjithë për shkak të merkatos, por Roma-Juventus rezultoi më tepër një sfidë mes Veretout dhe Ronaldos, që ishin dy protagonistët e mëdhenj në “Olimpico” në barazimin 2-2, ku pati gjithçka për një klasike të futbollit italian: nga dy 11-metërsha të akorduar, një karton të kuq, por dhe protagonizmi i të lartpërmendurve.
Veretout ishte për këtë mbrëmje lideri i verdhekuqve, me të cilët debutoi dhe Marash Kumbulla, ndërsa Ronaldo u konfirmua si zakonisht si udhëheqësi i Juventusit, që duket se po krijon varësi nga golat e tij.
Roma historikisht i kishte hapur telashe Juventusit dhe e tillë rezultoi dhe sfida e radhës në “Olimpico”, me Veretout që në të 31-tën zhbllokoi sfidën me një 11-metërsh, që u duk sikur Szczesny e ndali, por jo, topi tundi rrjetën.
Arma plus e Juventusit mbetet gjithmonë Cristiano Ronaldo dhe në të 44-tën, një tjetër 11-metërsh, këtë herë për Juventusin, u shndërrua në gol nga portugezi.
Në pushim u mendua se do të shkohej me këtë rezultat, por Veretout në kundërsulm dërgoi për herë të dytë topin në rrjetë, duke i dhënë një epërsi të pabesueshme Romës para se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes.
Për Juventus duhej kthesa, por Rabiot humbi qetësinë dhe në të 62-tën u ndëshkua me të verdhin e dytë, duke lënë bardhezinjtë me 10 vetë në fushë. Ndërkohë që 6 minuta më parë Dzeko kishte shpërdoruar një mundësi të pabesueshme për të mbyllur sfidën.
Rast i humbur, që Roma e pagoi kur Ronaldo në të 69-tën fluturoi për të shënuar golin e 2-2 pas asistit të Danilos.
Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Romën e Juventusin që ndanë pikët, duke lënë në njëfarë mënyrë të kënaqur të dyja kampet.