Presidenti Ilir Meta shprehet pro propozimit të Opozitës së Bashkuar që ka dorëzuar në Këshillin Politik. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se “opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimmarrës konsensual”.
Sipas presidentit drafti i paraqitur nga opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, “përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja”. Po ashtu kreu i shtetit shton se drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit.
“Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve. Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim”, shkruan Meta.
Në fund presidenti shkruan se tani është koha për reflektim dhe “çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit”.